PS nuk ka dërguar në Kuvend nismat që ndalojnë spiunët të futen në politikë. Nga ana tjetër ka një neglizhencë edhe sa i takon hapjes së dosjes për Metën. Ligji u miratua, por Kuvendi nuk ka bërë asnjë kërkesë te Autoriteti i Dosjeve…
Partia Socialiste ka filluar të luajë “ping-pong” me nismat kundër Ilir Metës.
-Lexo edhe:
“Rithemelimi i mbushur me servilë”, Ibsen Elezi: Këlliçi manipulator, nuk ka asnjë dallim nga Veliaj
Rama lëshon dorën në prag të zgjedhjeve: Në prill, tjetër bonus për pensionistët
Sapo ky i fundit doli nga Presidenca, Taulant Balla dhe deputetë të tjerë të PS, përfshirë dhe vetë Kryetarin Rama, trumbetonin me të madhe se spiunët e Sigurimit nuk mund të jenë më në politikë. Menjëherë u paralajmërua depozitimi i disa nismave në Kuvend, që do të sillnin jo vetëm hapjen e dosjes për Metën, por largimin e tij si kryetar partie dhe nuk do lejohej që të kandidonte për deputet e kryetar bashkie.
Por sot pas më shumë se 5 muajsh jemi në të njëjtën situatë, pra nuk ka ndodhur asgjë. Meta vijon aktivitetin e tij politik, ndërkohë që PS nxjerr justifikime për nismat e saj. Një ditë më parë ishte Taulant Balla, i cili deklaroi se në Konferencën e Kryetarëve kishte ngritur si çështje miratimin e një ligji që ndalon të futen në politikë bashkëpunëtorët e Sigurimit, por akuzoi opozitën se po e zvarrit.
“14 maji po afron dhe do të ishte e papranueshme që në listët e kandidatëve të ishte edhe bashkëpunëtori I.M apo me iniciale të tjera, apo në 2025-n anëtar i Kuvendit të Shqipërisë. Ne këtë gjë duhet ta pengojmë sa më shpejt. Janë ndërhyrje ligjore që kërkojnë 3/5. Dhe më bën përshtypje se këtë gjë e pengon Partia Demokratike. Ose nuk ka shfaqur gatishmërinë e duhur për të kontribuar për miratimin e këtij ligji”, tha Balla.
Por çfarë ka ndodhur në fakt? Vetë PS nuk ka dërguar në Kuvend nismat që ndalojnë spiunët të futen në politikë. Nga ana tjetër ka një neglizhencë edhe sa i takon hapjes së dosjes për Metën. Ligji u miratua, por Kuvendi nuk ka bërë asnjë kërkesë te Autoriteti i Dosjeve dhe Meta është i qetë, nuk e kërcënon më Ramën se “godet më të fortin”.
Nëse kthehemi muaj pas, për Metën u njoftua se do bëheshin ndryshime në Kodin Zgjedhor, përmes të cilit do ndaloheshin sigurimsat të kandidojnë për kryetarë bashkie dhe për deputetë. Si dhe një ndryshim në ligjin për partitë politike me qëllim që sigurimsat të mos jenë kryetarë partie. Po ashtu u premtua një ligj për të ndërhyrë në ligjin e dekriminalizimit, që Berisha të mos ishte në Kuvend. Sot këto nisma mund të jenë në sirtarin e zyrës së Ballës, por jo në Kuvend.
“Vijon puna brenda grupit parlamentar për pjesën tjetër të paketës që ka të bëjë edhe me ligjin për dekriminalizimit, ku të parashikohen edhe bashkëpunëtorët e ish sigurimit të shtetit, si dhe ligji për partitë politike sepse nuk mund të jesh kryetari i një partie politike nëse rezulton të kesh qenë bashkëpunëtor i sigurimit të shtetit. Natyrshëm që kemi edhe çështje të tjera që kemi adresuar ne mbledhjen e grupit parlamentar”, deklaronte Balla më 19 shtator.
Por pavarësisht retorikës, PS e la pas dore këtë çështje deri më 21 tetor, ditën kur u miratua dhe ligji për hapjen e dosjeve. Ishte po Taulant Balla që doli me të njëjtin propozim, ku tha se PS kishte gati ligjet për të nxjerrë Metën e Berishën nga politika.
“Sot PS prezanton edhe dy nisma të tjera për ndalimin e personave me lidhje në të shkuarën me ish-sigurimin famëkeq. Janë dy nisma, e para ka të bëjë me ndryshimin e ligjit për integritetin e personave që zgjidhen dhe emërohen në funksione pulitke, ose ligi i dekriminalizimit dhe tjetra për partitë politike.
E para parashikon ndalimin e personave për të marrë poste publike nëse vërtetohet lidhje me sigurimin e shtetit. Verifikimi kryhet në bazë të vetëdeklarimit dhe nëse rezulton i pavërtetë përveç humbjes për të qenë në poste publike personi ngarkohet me përgjegjësi penale.
Nisma e dytë ajo për ndryshimin e në ligjin e partive ka të njëjtën qasje, pra nuk mund të jenë kryetar të Partive në sistemin demokratike ata që kanë qenë bashkëpunëtore të sigurimit. Këto dy nisma janë premisat e duhura ligjore që spiunët e regjimit të mos jenë më pjesë e asnjë posti publik”, shprehej Balla për mediat.
Ndërkohë dje u deklarua e njëjta gjë. Pra duket se prej afro 5 muajsh PS dhe Rama luajnë “ping pong” me këto ligje, pasi vetëm sa mbajnë nën presion Metën, sepse në realitet nuk po ndodh asnjë lëvizje. /Pamfleti