Nuk ka të ndalur furia e motit në Kaliforni: Stuhitë e fuqishme kanë përfshirë pjesë të tëra të këtij shteti amerikan, ndërsa parashikimet edhe për ditët në vijim janë të zymta. Të paktën 17 persona kanë humbur jetën si pasojë e fenomenit të njohur si “lum atmosferik” ndërsa numri i viktimave pritet të rritet, sipas guvernatorit Gavin Newsom.
“Jemi pa fjalë, kjo situatë mund të zgjasë deri në 18 janar. Presim që fenomeni i ‘lumit atmosferik’ të ndodhë edhe 3 herë të tjera, në forma dhe sasi të ndryshme në zona të ndryshme të shtetit. Stuhia është shtrirë në pjesën më të madhe te shtetit”, u shpreh ai. Mes viktimave mendohet të jetë dhe një djalë i vogël, të cilin uji e rrëmbeu teksa ishte në makinë me të ëmën, që u shpëtua nga kalimtarë të rastit.
Pamjet nga ajri të dy makinave të gëlltitura nga një gropë gjigante e hapur në një rrugë të Los Angelesit bënë xhiron e rrjetit, duke dëshmuar edhe më fort problemet që ka lënë pas situata e rënduar metereologjike. Fatmirësisht, personat që ndodheshin në mjetet në fjalë, janë shpëtuar në kohë e u dërguan në spital me lëndime jo të rënda.
Shirat e rrëmbyer kanë shkaktuar përmbytje të mëdha në Kaliforni, mbylljen e rrugëve të rëndësishme, kanë shkulur pemë ndërsa vërshimi i ujit ka marrë me vete makina, bashkë me shoferë e pasagjerë brenda.
Banorë vendas thonë se kanë humbur gjithçka nga përmbytjet. Mbi 50 mijë banorë kanë marrë urdhër evakuimi, ndërsa mbi 110 mijë banesa dhe biznese janë pa energji elektrike.