Të gjitha fluturimet e brendshme në SHBA janë ndalur dje për disa orë për shkak të një defekti me sistemin e kontrollit të fluturimit.
Administrata Federale e Aviacionit (FAA) njoftoi se ka një problem me sistemin që paralajmëron pilotët për rreziqet e mundshme në rrugët e fluturimit. Lajmi u bë publik nga vetë administrata ku në një njoftim në rrjetin social Twitter cilësoi se po punonte për të rivendosur sistemin e njoftimeve për misionet ajrore. ‘Akoma nuk e dimë se nga se ka rrjedhur ky problem dhe jemi në shqyrtim të çështjes’ shkruhej në Twitter.
Një situatë e tillë nuk kishte ndodhur më parë në këtë vend me përjashtim të sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001. Për këtë arsye shumë specialistë të fushave të ndryshme kanë dyshuar se mund të bëhej fjalë për një sulm kibernetik dhe të para në listën e dyshimeve ishin hakerat rusë.
Përpara fillimit të një fluturimi, pilotëve u kërkohet të konsultojnë këtë sistem ku listohen ndikimet e mundshme negative në fluturime, nga ndërtimi i pistës deri te potenciali për ngrirje. Si rrjedhojë FAA urdhëroi që të gjitha fluturimet amerikane të shtyjnë nisjet deri në orën 9 të mëngjesit me orën lokale të Amerikës. Më shumë se 1200 fluturime të vonuara brenda Shteteve të Bashkuara, u regjistruan menjëherë pas defektit.
Por situata është marrë nën kontroll tashmë dhe fluturimet kanë rifilluar por në mënyrë të ngadaltë. Presidenti amerikan Joe Biden është informuar për defektin e FAA-së dhe Shtëpia e Bardhë tha se nuk kishte prova të një sulmi kibernetik “në këtë pikë”. Ndërsa Sekretari i Shtëpisë së Bardhë ka shkruar në Twitter se presidenti Biden ka bërë thirrje për një hetim të plotë të ngjarjes.