Sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Financave, Arlind Gjokutaj dhe dy drejtorë të këtij institucioni, Alban Ruli dhe Fatmir Hoxha janë arrestuar me akuzën e shpërdorimit të detyrës.
Arrestimet vijnë pas hetimeve ndaj shtetasit Ilir Thana i cili akuzohet për mashtrim, ndërkohë hetimet kishin nisur edhe për zyrtarë të zyrës përmbarimore dhe Ministrisë së Financave të cilët me veprimet e bëra në kundërshtim me ligjin kanë shkaktuar një dëm ndaj buxhetit të shtetit që raportohet se kap shifrën e 1.2 milionë eurove.
Bëhet fjalë për një veprim të kryer nga ana e tyre në shtator 2022 kur ata vendosën të kompensojnë një qytetar për një godinë që ishte kompensuar më herët.
Shuma prej 480 milionë lekësh që iu kalua shtetasit Ilir Thana vlerësohet si një vjedhje në buxhetin e shtetit.