Korrupsioni dhe skandali që kanë përfshirë Agjencinë për Zhvillimin Bujqësor dhe Rural kanë nxjerrë në skenë emrin e Frida Krifcës. OLAF, e cila është zyra e Bashkimit Evropian kundër mashtrimit, në operacionet e saj për të nxjerrë në dritë korrupsionet, ka kapur shkelje në shpërndarjen e fondeve të BE nga AZHBR, të cilat nuk kanë shkuar për fermerët, por në qoka për pushtetarët.
Sipas burimeve, raporti i kësaj strukture mësohet se është paraqitur pranë zyrave të SPAK me vërejtjet dhe gjetjet përkatëse në përdorimin e fondeve nga AZHBR. Gjithashtu, burime bëjnë me dije se është nisur një hetim dhe ka informacione se nga presione të forta dhe ndërhyrje të fuqishme, çështja mund të kalojë pa zhurmë nga SPAK tek Prokuroria e Tiranës. Pra në këtë mënyrë Frida Krifca shpëton nga hetimi.
Në lidhje me këtë çështje, gazeta “SOT” dërgoi dhe një kërkesë për informacion tek SPAK për dosjen që ka dorëzuar OLAF për AZHBR, por nuk morëm asnjë përgjigje. Rasti i ministres Frida Krifca po përfundon si Arben Ahmetaj me dosjen e Inceneratorëve. SPAK prej gushtit të vitit 2020 po heton çështjen e inceneratorëve dhe vetëm pak javë më parë çoi në gjykatë si të akuzuar 21 persona, ku u bë fakt se ish-ministri i Financave, Arben Ahmetaj mbeti jashtë përgjegjësisë ligjore, pavarësisht se në dosje provat kundër tij janë të dukshme.
Dy prokurorët e SPAK, Klodian Braho dhe Ened Nakuci, mbyllën dosjet e hetimit për të akuzuarit për korrupsion me inceneratorët e Fierit dhe Elbasanit. Por në dosjen hetimore ata nuk prekën faktet kompromentuese për ish-ministrin Ahmetaj të cilin as nuk e kanë pyetur.
Hetuesit e OLAF në zyrat e AZHBR
Hetimin e OLAF për AZHBR e ka denoncuar pak kohë më parë dhe zyrtari i Partisë së Lirisë, Vojo Bregu. Ai ka zbuluar kohë më parë se zyrat e Agjencisë së Zhvillimit Bujqësor dhe Rural (AZHBR) në Tiranë janë vendosur nën hetim nga OLAF, Zyra e Antikorrupsionit në Bashkimit Europian, e cila po heton mënyrën e përdorimit të fondeve të projektit “IPARD II” për subvencionimin e bujqësisë shqiptare.
Sipas tij, OLAF nisi një operacion blic në zyrat e AZBR-së, e cila menaxhon fondet e BE për subvencionimin e fermerëve shqiptarë. Sipas Bregut, zyrtarët e OLAF-it kanë hyrë në zyrat e shtetit shqiptar si “në një vend krimi” dhe “u kanë kërkuar punonjësve që të dorëzojnë telefonat. Po ashtu, kanë sekuestruar kompjuterat dhe dokumenta të tjerë”. Pra provat janë aty dhe mjafton që drejtësia e re të fillojë hetimin dhe pas hekurave pritet të përfundojnë shumë zyrtarë të lartë që kanë shpërdoruar fondet e BE.
Presione të forta për SPAK
Gjithë kjo situatë tregon që politika po ushtron një presion shumë të fortë ndaj kësaj strukture. Nga ana tjetër SHBA ka dhënë së fundmi sinjale se zyrtarët e lartë të zhytur në afera nuk kanë nga të shkojnë. 2023 është një vit sfide për SPAK, i cili ka në krye tashmë një emër të panjollë, një emër që mbështetet nga partnerët tanë ndërkombëtarë dhe kryesisht SHBA.
Së fundmi, vizita e ambasadores së SHBA Yuri Kim brenda SPAK, shihet dhe si një mbështetje e fortë amerikane për prokurorët, përballë presionit të fortë të politikës, një pjesë e së cilës ka dosje të rënda në shqyrtim në duart e prokurorëve të posaçëm. Pasi nuk kalon asnjë ditë pa presione të forta. Në këtë funksion e shohim dhe vizitën e Yuri Kim në SPAK, për të dhënë mbështetje për këtë institucion që të bëjë punën e tij, për t’i dhënë zemër, dhe për t’i thënë se SHBA e BE vijojnë të besojnë dhe ta mbështesin në luftën për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë në vend./SOT