Pas shumë vitesh në azil politik në Suedi, Muharrem Haklaj dhe Ajshe Haklaj, motra e madhe e Haklajve kanë vendosur që të çojnë ish-kryeministrin Sali Berisha në SPAK me akuzën se ka shfarosur fisin Haklaj në Tropojë.
Kallëzimi në Prokurorinë Speciale është depozituar nga Idajet Beqiri, avokati mbrojtës i familjeve të viktimave, i pajisur prej tyre me prokurë të përgjithshme. Gazeta “SOT” publikoi së fundmi 13 krimet që rëndojnë mbi Berishën me pasoja të rënda jetë njerëzore, ashtu edhe dëme material në drejtim të familjes Haklaj, duke i vrarë asaj 4 vëllezërit Shkëlqim Haklaj, Halil Haklaj, Fatmir Haklaj, Ylli Haklaj, si dhe duke mbetur në tentativë vrasjet e Muharrem Haklaj, Hamdi Haklaj dhe Ajshe Haklaj.
Por gjithashtu në kallëzimin penal në SPAK është përmendur dhe prokurori që ka mbyllur dosjen e Haklajve vite më parë pa bërë veprimet e domosdoshme ligjore. Ai është Besim Hajdarmataj, ku sipas kallëzimit penal ishte njeriu më besnik dhe shërbëtor i zellshëm i Sali Berishës.
Idajet Beqiri: Ja kush është prokurori që ka mbyllur hetimet
Si u mbyll dosja e Hakljave?
Muharrem Haklaj dhe Ajshe Haklaj shpresojnë tek drejtësia e re shqiptare, e cila është “nën patronazhin” e amerikanëve. Në kallëzimin penal thuhet se dosja e Haklajve u mbyll nga Hajdarmataj pa u hetuar e plotë dhe deri më sot askush nuk është kujtuar për t’i rihapur, hetuar dhe për t’i gjykuar. “Theksojmë se për disa prej ngjarjeve penale që kanë sjellë pasoja shumë të rënda janë filluar procedimet penale dhe janë kryer veprime të pakta hetimore, por qëllimisht, për shkak të kapjes së organit të akuzës dhe të sistemit gjyqësor prej krimit dhe korrupsionit, posaçërisht në vitet 1999-2013. Këto çështje janë pezulluar, duke mos u kujtuar askush për t’i rihapur, hetuar dhe për t’i gjykuar. Pra, nuk janë kryer veprime nga policia si organ zbulimi dhe gjurmimi dhe nga prokuroria, si organ i procedimit penal”, thuhet në kallëzimin penal.
Si u përjashtua nga drejtësia Besim Hajdarmataj?
Në 2021, Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA shpalli më 4 gusht ndryshimin e vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK për ish-drejtuesin e Prokurorisë për Krime të Rënda, Besim Hajdarmataj që ishte konfirmuar më parë në detyrë. Ndryshe nga Komisioni, Kolegji vlerësoi se me problemet e përsëritura të vërejtura në aspektin profesional Hajdarmataj kishte cënuar besimin e publikut tek drejtësia. Penalizuese u konsideruan edhe balancat negative në kriterin e pasurisë dhe mbajtja e likujditeteve cash në shtëpi tej vlerës së lejuar. Më 16 tetor 2019 KPK vendosi ta konfirmojë prokurorin Besim Hajdarmataj duke konkluduar se nga hetimi i thellë për pasurinë nuk kishte gjetur elemente shkarkuese.
Gjithashtu, nuk u gjetën probleme penalizuese as për pastërtinë e figurës dhe profesionalizmin, por një çështje u transferua për inspektim pranë Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, ILD. Vendimi i Komisionit u ankimua nga Komisioneri Publik Darjel Sina, bazuar në një rekomandim të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, ONM që konstatonte mangësi në hetimin e çështjeve dhe rol të dobët kontrollues kur Hajdarmataj ishte drejtues.
ONM ngriti pikëpyetje edhe për vendbanimin e subjektit në një apartament së bashku me familjarët. Shqyrtimi i çështjes në Kolegj u zhvillua me “nota të nxehta” mes vëzhguesit ndërkombëtar Theo Jacobs dhe prokurorit Hajdarmataj. Jacobs ngriti dyshime për fshehje pasurie dhe e cilësoi të turpshme moskryerjen e hetimeve për tonelata drogë nga ish-Prokuroria e Krimeve të Rënda, kur ky institucion drejtohej nga Besim Hajdarmataj.
Ja dosjet e bujshme që i dhanë fund karrierës së prokurorit Besim Hajdarmataj
-Së pari, në vitin 2010, kur Besim Hajdarmatajt drejtonte Prokurorinë e Kurbinit, sipas raportit, ka mbyllur dosjen e një grupi që ushtronte veprimtari në fushën e bixhozit, për shkak se prokurori kishte lidhje dhe miqësi me kokën e grupit. Grupi prej 15 vetash ka ndaluar dhe kërcënuar 5 punonjës të Njësisë së Mbikëqyrjes të Lojërave të Fatit, duke u marrë me forcë 5 makineri APEX.
Për gati 1 vit e 3 muaj, Hajdarmataj nuk ka krye asnjë hetim dhe në fund ka mbyllur dosjen, me arsyetimin se “në rastin konkret, pasi janë bërë hetime, nuk është bërë e mundur të provohet ekzistenca e faktit dhe, për këto arsye, procedimi penal nuk mund të vazhdojë më tej, por çështja duhet të pushohet”. Sipas raportit, prokurori ka bërë cilësim gabuar në regjistrimin e veprës penale, nuk ka kryer veprime hetimore të mjaftueshme, nuk është pyetur i kallëzuari, nuk ka bërë verifikime për veprimtari të tjera të kokës së grupit, nuk janë verifikuar tabulatet telefonike etj.
Mesazhet telefonike
-Së dyti, në Komisionin e vetingut ka mbërritur një informacion për lidhje të Hajdarmatajt me personin që i mbylli dosjen, me probleme të theksuara ligjore dhe i skeduar për disa vepra penale. Kur është pyetur në lidhje me këtë personazh, Hajdarmataj ka pohuar se “…u sqaroj se me këtë shtetas nuk kam asnjë lidhje, nuk kam ndonjë raport shoqëror dhe nuk kam pasur marrëdhënie familjare apo të tjera, thjesht e njoh si person”. Por, nga hetimi ka rezultuar se prokurori ka shkëmbyer mesazhe me personazhin problematik që i mbylli dosjen, madje kishin udhëtuar bashkë me avion.
“Ndërkohë, nga hetimi administrativ i Komisionit kanë rezultuar rrethana dhe fakte që dëshmojnë të kundërtën e këtij pohimi të subjektit të rivlerësimit, pasi në datën *.7.2017, ora 22:03, midis numrave telefonikë të subjektit të rivlerësimit dhe shtetasit *. *. Janë shkëmbyer mesazhe telefonike dhe, se nga të dhënat e sistemit TIMS, rezultojnë kalime të përbashkëta të kufirit shqiptar përmes aeroportit “Nënë Tereza”, duke realizuar fluturime në të njëjtën ditë dhe në të njëjtin destinacion, më shumë se një herë”, thuhet në raport.
Kanabisi në Përmet
-Së treti, sipas raportit, në vitin 2017, kur drejtonte Prokurorinë e Krimeve të Rënda, Besim Hajdarmataj ka dërguar për hetim në Prokurorinë e Përmetit dosjen e kapjes së 11. 650 kg kanabis në Përmet. Komisioni i Vetingut ka konstatuar se Prokuroria e Krimeve të Rënda nuk kishte kryer një hetim proaktiv për të identifikuar anëtarët e drejtuesit e grupit të strukturuar kriminal, të cilët po drejtonin një operacion shumë të madh të trafikut të lëndës narkotike.
Por, sipas KPK-së Hajdarmataj ishte drejtues i prokurorisë dhe si i tillë nuk mund t’i atribuohet kjo shmangie e hetimit. Por, ndryshe nga shkalla e parë e Vetingut, Komisioneri Publik, konkludon se “Për rastin konkret, duket se subjekti i rivlerësimit nuk ka ushtruar me përgjegjshmëri detyrat e tij funksionale dhe mekanizmat që ligji i ka mundësuar për të mbikëqyrur ecurinë dhe përfundimin e çështjes, nisur dhe nga rëndësia që paraqiste ajo”.
Dosja e drogës
-Së katërti, sipas raportit, në vitin 2013, kur drejtonte Prokurorinë e Krimeve të Rënda, Besim Hajdarmataj ka transferuar pas dy viteve në Prokurorinë e Shkodrës një dosje të rëndësishme droge. Komisioni i Vetingut i shkallës së parë ka konstatuar se “duke pasur parasysh rëndësinë tepër të madhe të çështjes në fjalë dhe sasinë e madhe të lëndës narkotike të gjetur, duket se subjekti i rivlerësimit nuk ka përmbushur detyrat e tij mbikëqyrëse, duke toleruar mosveprimin fillestar (që zgjati për dy vjet)…”.
Megjithatë, lëvizja e dosjes, sipas KPK-së nuk mund ta ngarkojë me përgjegjësi Hajdarmataj si drejtues. Por, ndryshe mendojnë, ONM dhe Komisioneri Publik. Sipas tyre, për dy vite nuk është kryer asnjë hetim. Hajdarmataj, nga marsi 2016 deri më 26 nëntor 2016, me hyrjen në fuqi të ligjit nr. 96/2016 për statusin e prokurorëve dhe gjyqtarëve, ka pasur kompetenca të plota veprimi mbi çështjen, por nuk ka vepruar.
Dy dosjet në Prokurorinë e Durrësit
-Së pesti, sipas raportit, Besim Hajdarmataj ka dërguar në vitin 2015 dy dosje për kompetencë hetimore në Prokurorinë e Durrësit si dhe një dosje në Prokurorinë e Elbasanit, gjithnjë pa kryer hetime, të cilat sipas Komisionerit Publik ishin në kompetencë të prokurorit. Në raport thuhet se ka bërë ndryshim jo bindës të cilësimit të veprave penale, nuk ka kryer hetime pasurore për të akuzuarit për trafik droge, nuk janë monitoruar telefonatat, nuk janë bërë hetime për persona të tjerë të përshirë, baza ligjore e referuar për transferimin e çështjes është e ndryshme me atë të diapozitivit etj.
Burimet financiare
-Së gjashti, Komisioneri Publik dhe ONM pretendojnë se Besim Hajdarmataj, lidhur me pasuritë e deklaruara, për periudhën 2003-2016, ka mungesë burimesh të ligjshme financiare, përkatësisht me një diferencë negative prej 980.888 lekë. Besim Hajdarmataj është një nga prokurorët e rrallë, ndoshta i vetmi, i cili nuk ka deklaruar asnjë pasuri të paluajtshme. Nga viti 2009 e në vijim ka deklaruar se ka jetuar në shtëpinë e vëllezërve. Komisioneri Publik ka konkluduar se nuk provohet mundësia financiare e vëllezërve për të përballuar blerjen e shtëpisë. /Sot