Viti 2023 ka nisur edhe me ndryshime në taksa. Disa nga ligjet e paketës fiskale të diskutuara dhe miratuara vitin që lamë pas, kanë hyrë në fuqi nga 1 Janari.
Konkretisht, akciza e birrës që do të paguhet nga kompanitë gjatë këtij viti do të jetë 710 lekë HL, ose 7,1 lekë për 1 litër birrë, ndërkohë që deri tani, birra e prodhuar nga impiante me kapacitet nën 200 mijë HL në vit, kishte një akcizë 360 lekë/hl, ose 3,6 lekë për litër. Po ashtu, edhe duhani do të kushtojë më shtrenjtë, pasi akciza është rritur mesatarisht 250 lekë për kg krahasuar me vitin që lamë pas, çka do të reflektohet në mënyrë të menjëhershme edhe në çmimin final të shitjes, me rreth 20-30 lekë, ndërsa ka hyrë në fuqi edhe heqja akzicës për akumulatorët për panelet diellore dhe makineritë elektrike.
Ndryshimet në ligjin e TVSH-së, janë bërë gjithashtu efektive, ku përjashtohen nga TVSH-ja në import dhe në furnizimet brenda vendit, drutë e zjarrit, paletat për ngrohje etj. për periudhën 1 Janar – 31 Dhjetor 2023, si një masë për zbutjen e efekteve të situatës energjetike çmimeve të larta të produkteve energjetike. Po ashtu do të përjashtohen nga TVSH edhe përfituesit e projekteve me grante të dhëna nga donatorë të huaj.
Sa i takon ndryshimeve në ligjin për procedurat tatimore, bizneset do të përballen me gjoba më të kripura për shkelje të ndryshme në fushën e tatimeve. Konkretisht, bizneset që kanë punonjës në të zezë apo nuk deklarojnë pagat reale, do të penalizohen me dyfishimin e gjobës ekzistuese, duke u detyruar që të paguajnë 100-200 % të detyrimit dhe kontributit të llogaritur.
Ka hyrë në fuqi gjithashtu rritja e gjobës deri në 500 mijë lekë për tatimpaguesit e mëdhenj që kapen me mall pa faturë, i cili mund të jetë mall kontrabandë, apo mall i blerë/prodhuar në të zezë dhe i padeklaruar.
Sa i takon ligjit të ri për tatimin mbi të ardhurat, është parashikuar që vetëm një pjesë e tij të hyjë në fuqi gjatë këtij vitit, ndërsa pjesa tjetër në vitin 2024, duke qenë se ende nuk është gati tërësisht dhe ka hasur kundërshti të shumta. Taksimi i profesioneve të lira, do të shtyhet për vitin e ardhshëm.