Prej pak kohësh ka nisur ndërtimi i portit turistik të Vlorës që parashikon transformimin e hapësirës ku ndodhej porti i vjetër industrial në portin më të madh turistik në vend.
Demontimi i strukturës së vjetruar dhe jashtë funksionit të portit të vjetër të mallrave është drejt përfundimit dhe tashmë ekipet e inxhinierëve po përgatiten për fillimin e hedhjes së “themeleve” të marinës më të madhe në vend dhe një ndër më modernet në detin Adriatik dhe detin Jon.
“Vlora Marina” do të ketë 438 vende dhe është e kategorisë Superiore që plotëson të gjitha standardet maksimale për ankorimin e jahteve dhe mega-jahteve.
Punimet e plota për ndërtimin e marinës në Vlorë parashikohen që të përfundojnë në vitin 2025 por ajo do të jetë e përdorshme pjesërisht edhe më parë. Të gjitha kostot e këtij projekti do të mbulohen nga kompania koncesionare dhe 30 vite pas përfundimit të ndërtimit porti turistik i kalon shtetit shqiptar.