Amfiteatri i Liqenit Artificial të Tiranës do të hapet sot në mbrëmje përmes një spektakli fantastik e plot surpriza që ka rezervuar Bashkia e Tiranës për qytetarët. Pak orë para përurimit, kryebashkiaku Veliaj ka publikuar në profilin e tij në twitter një foto të tij në moshën 4-vjeçare ku shfaqet bashkë me të atin pikërisht në Amfiteatrin e Liqenit.
“Herën e parë tek Amfiteatri i Liqenit kam qenë 4-vjeç me tim atë. Falë punës titanike të @aprtirana, sot rihapet më modern e më i bukur se kurrë. Mos mungo sonte & merr me vete fëmijët. Asnjëherë nuk i dihet se cili prej tyre do të frymëzohet që ta transformojë Tiranën nesër”, shkruan Veliaj në Twitter.
34 vjet më vonë, në detyrën e kryebashkiakut, Veliaj mori përsipër transformimin e tij nga një gërmallë dhe vend depozitimi mbeturinash, në një skenë teatrore në natyrë duke i rikthyer shkëlqimin e dikurshëm.
Prova e parë do të jetë mbrëmja e sotme, ku do të bëhet edhe hapja e tij përmes një feste që do të fillojë nën tingujt e Olen Cesarit. Muzikale, Balet, Simfoni, Arie, Uvertura, Marshe Muzikore si dhe pjesë nga repertori botëror dhe shqiptar do të jenë ajo që do të shikojë publiku artdashës i kryeqytetit. Po ashtu, nën dirigjimin e Noorman Widjaja, do të interpretojë Orkestra e RTSH, Banda e Forcave të Armatosura, Fanfara Tirana, Kori i T.K.O.B & balerinë solistë nga Shkolla e Baletit.
Kryeqyteti ka tashmë një tjetër skenë, që do të mirëpresë publikun me festivale, koncerte, teatër, konferenca, shfaqje të cirkut e kinema verore në të katër stinët, duke e shndërruar këtë pjesë të Parkut të Liqenit Artificial në një pikë të rëndësishme kulturore e argëtimi për qytetarët.