Aktori i humorit Florian Binaj, ka reaguar pas videos që i bënë Bujar Asqeriut, në të cilën ai fliste për prishjen e Teatrit Kombëtar dhe se si ai nuk u shit si aktorët e tjerë.
Binaj thotë se është krenar për Bujar Asqeriun dhe jo për aktorët që u shitën tek Rama.
“Ne i kemi bërë një kamera të fshehtë gazmore artistit të merituar, mjeshtrit të madh të skenës Bujar Asqeriu.
Ne u bëjmë shaka gazmore personazheve që i vlerësojmë, por kamera e Bujar Asqeriut ishte më shumë se sa një kamera gazmore sepse pa e ditur që po xhirohej Bujari na dha një analizë therëse të problemeve të Shqipërisë, artistit dhe lirisë dhe gati-gati nuk e dinim ç’të bënim të qeshnim apo të qanim dhe diskutimi i tij ishte thjesht shterues.
Madhështia qëndron te fakti që kur kjo kamera po montohej, një grusht artistësh dhe njerëzish të sjellë aty me detyrim duartrokisnin kryeministrin para gropës varr të Teatrit të vërtetë Kombëtar.
E duartrokisnin që ai bashkë me ta dhe gjithë ushtrinë e tij të shërbëtorëve e vranë atë teatër.
Duartrokisnin çmendurinë e një njeriu që kur ishte ministër Kulture, gjëja e parë që donte të bënte ishte ta shembte teatrin!!!
A thua se Tirana kishte teatër në çdo lagje dhe ç’u bë po e prishëm këtë Kombëtarin! Dhe u mor me shaka atëherë.
Shumë kohë më pas kur erdhi në pushtet tha s’keni parë asgjë akoma, u mor prapë me shaka dhe ja ku jemi sot.
Duartrokitjet e tyre ngjanin si dy pika ujë me pleniumet e Partisë së Punës së Shqipërisë që çfarëdolloj budallallëku thonte parti, duhej duartrokitur.
Dhe kush duartroket marrëzinë, merr dhe leverdinë. Ato duartrokitje treguan që ata nuk do ishin dot aty pa e kryer atë krim, natën, pa gdhirë, fshehurazi, si hajdutët.
Atë teatër që pasi nuk e shembi dot tërmeti me studimet e shërbëtorëve të tij thanë se duhet shembur sepse rrezikon ta shembë era.
Atë teatër që i rriti, i bëri aq të mëdhenj…‘të mëdhenj’ dhe këta për t’ia shpërblyer e vranë. E vranë që të hanë.
Kjo ngjarje nga tregoi se arti, vlerat qytetare dhe e vërteta janë gjithnjë e më të rralla nga anët tona dhe natyrshëm lind pyetja: a mund të jesh artist kur je një njeri i vogël?
A mund të bësh art të bukur, kur ke një sjellje qytetare të shëmtuar? Në këto kohë, po! Madje më shumë se kurrë.
Prandaj kamera e fshehtë që ne pamë na tregon që në krah të kundër të atij grushti shërbëtorësh të vënë në rreshtore qëndron Bujar Asqeriu e disa të tjerë pak guximtarë si ai.
Janë të shumtë artistët të lënë në hije, jo sepse nuk janë të aftë, por sepse nuk e ulin kokën e të pranojnë t’i shërbejnë këtij sistemi i cili do që artisti të mos i shërbejë atdheut, por t’i shpëtojë qeverisë.
Nëse arti është më i fortë se pushteti, atëherë jetojmë në demokraci, por nëse pushteti është më i fortë se arti, atëherë jemi në diktaturë.
Dhe në vend që të merremi me artistët që hyjnë në vathë e po shpërblehen me tituj e lloj-lloj gjërash, duhet t’i kthejmë sytë, vëmendjen dhe respektin tek ata pak që kanë mbetur ende të lirë dhe që kanë ende guximin ta thonë të vërtetën në sy.
Unë besoj se kanë lindur ata historianë që do ta shkruajnë nëpër libra shkollorë për dëmin që i ka bërë kjo shtresë e ndyrë politike Shqipërisë dhe shqiptarëve këto 32 vite pas komunizmit.
Artisti i vërtetë i përket kombit, jo politikës, kështu që z. Bujar Asqeriu unë jam krenar për ty!”, shprehet Binaj