Por ndërsa ATP që prej thuajse dy vitesh nuk kryen funksionin vet, e kundërta ndodh me fondin special të kompensimit, ose ajo që njihet si kompensimi me kusht.
Bëhet fjalë për një formulë e miratuar që në vitin 2015, përmes së cilës pronarëve u jepet mundësia të përfitojnë menjëherë kompensimin në rast se heqin dorë nga shumë totale. Përqindja e kompensimit varion në funksion të kohës që ai jepet. Për ata pronarë që e duan menjëherë kompensimin, vlera ulet deri në 20% të totalit.
Agjencia e Trajtimit të pronave kursen çdo vit miliona dollarë përmes kësaj formule, në një kohë që duket se vitet në vijim, shtimi i pronarëve që pranojnë këtë formulë do të jetë prioritet i saj. Në Projektbuxhetin Afatmesëm 2023-2025, parashikohet që numri i pronarëve të përfshire në këtë skemë të rritet nga 1,600 e parashikuar për 2023, në 1,936 për 2025.
Vetë Agjencia e Trajtimit të Pronave bën me dije se për tetëmujorin e këtij viti janë lëvruar për 206 subjekte kësti i radhës me fond prej 679 milionë lekë, apo afërisht 6 milionë dollarë. Ndërkohë që gjatë këtij viti 4 subjekte kanë aplikuar për t’u përfshirë në këtë skemë, duke hequr dorë nga kompensimi i plotë. Në vitin 2021 numri i pronarëve që rezultonin në këtë skemë ishte 209, me një vlerë totale këstesh prej afro 6 milionë dollarësh.
Përmes përfshirjes në këtë formulë të rreth 2 mijë pronarëve, si parashikohet në Buxhetin Afatmesëm, Qeveria do të kursente dhjetëra miliona dollarë. Sipas vetë Qeverisë, fatura financiare e procesit të Kompensimit të pronarëve është rreth 1 miliard dollarë, faturë që pritet të fryhet edhe më tej me ndryshimet e sapo miratuara në Ligjin e Trajtimit të Pronës, të cilat përcaktojnë se pronarët nuk mund të kompensohen më me më pak se 10% të vlerës së pronës.