Kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiç ka reaguar ndaj deklaratës së ambasadorit gjerman në Kosovë, Jorn Rhode, i cili në një intervistë për KTV të hënën, tha se barrikadat e ngritura nga serbët lokalë duhet të hiqen para festës së Krishtlindjeve.
Brnabiç, përmes një serë postimesh në rrjetin social Twitter, ka deklaruar se barrikadat jo vetëm që s’do të hiqen, por as “babadimri” këtë herë s’mund të kalojë mbi to.
“Unë mendoj se ju duhet të shqetësoheni nëse babadimiri mund të kalojë këtej…”, shkroi Brnabiç.
Ndërkaq, sipas vlerësimit të saj, deklarata e diplomatit gjerman paraqet “kërcënim” ndaj qytetarëve serbë që jetojnë në Kosovë.
“Nëse nuk jeni interpretuar gabimisht, ose keni pasur një goditje të vogël para intervistës, ato janë thellësisht shqetësuese pasi po kërcënoni në mënyrë eksplicite njerëzit tanë – dhe kjo nuk është e pranueshme”.
Numri një i qeverisë serbe, zgjodhi ta sfidonte amabasadorin Rhode duke i kërkuar sqarim se për cilat Krishtlindje e ka pasur fjalën – Krishtlindjet katolike të cilat festohen më 25 dhjetor, apo ato ortodokse që festohen me 7 janar.
“Barrikadat do ta pengojnë babadimrin të vijë në Kosovë”, shtoi ajo.
Ndryshe, i ashtuquajturi “Shtabi i krizës” në Veri të Kosovës ka thirrur një protestë për të enjten, e cila do të mbahet në Rudarë, në afërsi të vendit të njohur si “Kryqi”, ku janë hasur edhe persona të maskuar dhe të armatosur.
“Ftojmë popullin serb që jeton në Kosovë në protestën më të madhe që ka ndodhur ndonjëherë, e cila do të mbahet të enjten më 22 dhjetor në ora 12:00 në Rudar afër Kryqit”, thuhet në njoftim.
Serbët etnikë në veri të Kosovës, ku janë shumicë, kanë ngritur barrikada prej më shumë se 10 ditësh, duke penguar lëvizjen e lirë të autoriteteve kosovare pavarësisht thirrjeve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian.
Një grup i madh anëtarësh të ‘Narodne Patrole’, një organizatë nacionaliste serbe me lidhje me grupin paraushtarak rus “Wagner”, ishin mbledhur gjithashtu të dielën në anën serbe të kufirit Serbi-Kosovë duke kërcënuar se do të përballeshin me trupat e NATO-s.
Qeveria e Kosovës, përmes kryeministrit Kurti, kishte njoftuar se po pret nga KFOR-i që të bëjë heqjen e barrikadave.