Nga Adriatik Doçi
Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut ka marrë në shqyrtim kërkesat e katër ish gjyqtarëve dhe prokurorëve shqiptarë, të cilët pretendojnë se janë shkarkuar në mënyrë të padrejtë nga organet e Vetingut. Gjykata e Strasburgut ka pranuar pjesërisht paditë e ish prokurorëve Besnik Cani dhe Antoneta Sevdari, ndërsa ka rrëzuar plotësisht pretendimet e ish gjyqtareve Altina Xhoxhajn dhe Besa Nikëhasani.
Gjykata ka vendosur rigjykimin e Besnik Canit nga Kolegji i Apelimit, për shkak se pjesë e trupës gjykuese në KPA gjatë procesit të shkarkimit, ishte edhe Luan Daci, i shkarkuar dhe i dënuar më pas pasi kishte paraqitur të dhëna të rreme gjatë planit për t’u bërë pjesë e KPA. Gjykata ka vendosur dëmshpërblim me 25 mijë euro për Antoneta Sevdarin, për shkelje të nenit 8 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, që ka të bëjë me drejtën e respektimit të jetës së tij private dhe familjare, banesës dhe korrespondencës së tij.
Nga ana tjetër, Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut ka theksuar dhe ritheksuar se procesi i Vetingut në drejtësi, është një masë e jashtëzakonshme e duhur dhe e ligjshme, për shkak të nivelit të korrupsionit në sistemin e drejtësisë. Gjykata e Strasburgut ka konstatuar devijime apo shkelje të caktuara gjatë zbatimit të ligjit të Vetingut, por në asnjë rast nuk e ka vënë në pikëpyetje ligjshmërinë e procesit në raport me respektimin e të drejtave të njeriut.
Po çfarë pretendimesh kanë ngritur gjyqtarët dhe prokurorët e shkarkuar në Gjykatën e Strasburgut, kryesisht për shkelje të nenit 8 të Konventës, atë të të drejtës për jetë private?
Sipas vendimit të Gjykatës së Strasburgut për Antoneta Sevdarin, kjo e fundit e ka pretenduar se shkarkimi si prokurore kishte sjellë humbje të pagës dhe përkeqësim të mirëqenies materiale të saj dhe familjes. Zonja Sevdari, i perceptuar si një prokurore me integritet, ka pohuar gjithashtu se me shkarkimin nga detyra kishte humbur reputacionin si dhe është stigmatizuar në sytë e shoqërisë për shkak të largimit të saj nga drejtësia. Nga ana tjetër, përfaqësuesit e qeverisë kanë theksuar se gjyqtarët dhe prokurorët e shkarkuar ‘nuk kanë mbetur pa lekë’, pasi kanë nisur të punojnë si avokatë.
Ndërkaq, Gjykata e Strasburgut ka arsyetuar se fakti që të shkarkuarit po punojnë si avokatë, kjo nuk do të thotë se të ardhurat e tyre nuk kanë rënë dhe se nuk e kanë përjetuar keq shkarkimin. Por, gjykata thekson se shkarkimi është argumentuar me minim të besimit të publikut nga drejtësia dhe me luftën kundër korrupsioni në drejtësi.
Ndërsa ish gjyqtarja Besa Nikëhasani ka pretenduar ndër të tjera se organet e Vetingut ishin nën ndikim politik dhe se anëtarët janë shpërblyer me bonus nga qeveria. Sipas saj, disa anëtarët të Komisionit të Vetingut, shkalla e parë, kanë një mesatare të arsimit të lartë më të ulët nga sa kërkohet në kriteret për t’u bërë pjesë e KPK-së. Gjithashtu, Besa Nikëhasani ka pohuar se disa nga anëtarët që kanë marrë pjesë në shkarkimin e saj janë në hetim nga SPAK-u. Ish gjyqtarja ka pohuar se KPA-ja nuk kishte bërë asnjë korrigjim të shkeljeve të KPK-së dhe se nuk i kishte pranuar prova shtesë që mund të lehtësonin pozitat e saj. Gjykata e Strasburgut i ka hedhur poshtë të gjitha pretendimet./ Shqiptarja.com