Dhjetëra protestues serbë janë përleshur me policinë e tyre në një tentativë për t’u futur në Kosovë. Ekstremistët serbë u mblodhën në Rashkë, në afërsi të kufirit Kosovë-Serbi pranë pikës doganore të Jarinjës. Ata arritën të kalojnë kordonin e parë të policisë, por më pas janë përballur me forcat speciale.
Ato udhëhiqeshin nga Damjan Knezheviç, që është njeri i afërt me grupin paramilitar rus “Wagner”. Protestuesit kanë ndezur flakadanë dhe kanë bërë thirrje kundër Kosovës dhe shqiptarëve.
Njëri prej protestuesve të dhunshëm u arrestua. Protestuesit u përpoqën ta kalonin kufirin për t’u bashkuar sipas tyre me serbët që prej 10 Dhjetorit kanë ngritur barrikada.
Në protestë kishte mjaft persona të maskuar, të cilët në duar mbanin flamuj të Serbisë dhe pankarta ku veçohej ajo me mbishkrimin “Kurrë kufi, Kosova është Serbi”. Në shenjë simbolike ata dogjën edhe parrulla ku shkruhej “Marrëveshja e Brukselit”.
Pasi dështuan për të kaluar kordonët e policisë kufitare serbe protestuesit u kthyen pas disa orësh sërish nga kishin ardhur. Në këtë pikëkalim kufitar në pjesën kosovare KFOR-i e ka shtuar prezencën ushtarake dhe ka vendosur tela me gjemba.
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se çdo çast i kaluar nën bllokim të barrikadave të ngritura nga grupe të armatosura e kriminale është i tepërt. Sipas tij veriu i vendit si çdo cep i Republikës, duhet të kthehet sa më shpejt në normalitet.
Trupat e KFOR-it janë vendosur në Jarinjë, derisa është paralajmëruar se në anën tjetër të kufirit do të mblidhen ekstremistë.
Sipas “Kossev” përmes rrjeteve sociale është lënë një takim “me qëllim të zhbllokimit të kalimit për serbët” nga Kosova.
Kujtojmë që sot është dita e nëntë e barrikadimit të Veriut, pasi serbët lokalë vendosën kamionë e makineri të rëndë në disa rrugë.
Këtë veprim ata e morën pas arrestimit të ish-policit, Dejan Pantiq.
Ndërsa sot KFOR-i ka njoftuar se ditët në vijim do t’i nisë stërvitjet ushtarake pranë bazës në Novosellë.
Kështu, KFOR-i synon të përgatitet për të reaguar ndaj krizave. Sipas komunikatës së lëshuar, në këto stërvitje do të përdoren automjete të rënda ushtarake dhe helikopterë.
“Stërvitja synon t’i trajnojë njësitë e KFOR-it për të garantuar lirinë e lëvizjes në një situatë reagimi ndaj krizave dhe do të konsistojë në një seri simulimesh taktike dhe aktivitete logjistike duke përdorur kolona ushtarake me automjete të rënda inxhinierike dhe helikopterë”, thuhet në njoftim.