Argjentina fiton me Holandën pas 120 minutave lojë dhe penalltive dhe kalon në gjysmëfinalet e Kupës së Botës. Pas lojës së rregullt ndeshja u mbyll 2-2, me skuadrat që në shtesën prej 30 minutash nuk gjetën më gola.
Fati i duelit u vendos nga “ruleta ruse”, me djemtë e Scalonit që u treguan më të saktë nga pika e bardhë e penalltive (3-4). Tanimë Argjentina gjen në gjysmëfinale Kroacinë, me ballkanasit që kaluan po pas penalltive Brazilin.
Ndeshja në “Lusail Stadium” nisi mirë për Argjentinën, me Molinën që i shënoi Holandës në minutën e 35 pas asistit të Messit. Pjea e parë u mbyll në avantazhin e Albicelestes, teksa në të dytën Messi gjeti golin e dytë në minutën e 73 nga penalltia.
Kur të gjithë prisnin fitoren e Argjentinës, Holanda u zgjua me Weghorst. Sulmuesi shënoi dopietë në minutat 83 dhe 90+11. Dramatik fundi i ndeshjes për Holandën që shënoi pas një skeme perfekte. Me kohën e rregullt që u mbyll 2-2 dhe me sherr, ndeshja shkoi në 30 minuta shtesë. Asnjë nga skuadrat nuk gjeti rrjetën teksa nga pika e penalltisë më të saktë u treguan argjentinasit.
Van Dijk dhe Berghuis gabuan te Holanda, teksa Fernandez te Argjentina. Tanimë Albiceleste luan me Kroacinë në gjysmëfinale.