Nga Arbër Patrioti/ Proletar
Bëhet fjalë për periudhën përpara vitit 2005, para se Lulzim Basha të angazhohej zyrtarisht me Komitetin e Orientimit të Politikave, organin elektoral të PD-së në zgjedhjet e atëhershme.
Zyrtarisht, në CV-në e ish-ministrit që tashmë kandidon, shkruhet se deri në 1998 ai ka përfunduar studimet në Universitetin e Utrecht-it në Holandë, me gradën Master i së Drejtës (Ligj).
– Në vitet 1998 – 99, ai deklaron se ka punuar për Gjykatën Ndërkombëtare të Krimeve të Luftës në ish-Jugosllavi,
– Në 2000-2001 ka qenë Këshilltar Ligjor pranë Departamentit të Drejtësisë së UNMIK-ut,
– Në 2001-2002 zëvendësshef i kabinetit të Drejtorit të Departamentit të Drejtësisë,
– 2002 – 2005 ka punuar si këshilltar special për tranzicionin (ligjor) pranë së njëjtës zyrë, e cila po përgatitej të shndërrohej në Ministri të Drejtësisë në Kosovë.
Mirëpo gjatë viteve të fundit, me të marrë përsipër një rol më politik në Shqipëri, mediat kanë filluar të publikojnë edhe disa hipoteza të tjera mbi të shkuarën e Bashës. Disa prej tyre e kanë shqetësuar vërtet ish-ministrin e Berishës, i cili disa herë ka bërë dhe deklarata jo shumë të qarta në lidhje me aktivitetin e tij në Kosovë.
Po cila ka qenë jeta e Bashës në Kosovën e pasluftës? A ka ndonjë arsye për mosndriçimin e asaj periudhe të jetës së këtij palaço politikani?
Ish-kolegë të Bashës tregojnë që Lulzimi së paku në 6 muajt e parë të qëndrimit në Kosovë është shoqëruar vetëm me ndërkombëtarë, madje i shmangej të folurit shqip. Sokol Zogaj aktualisht zyrtar i lartë në Ministrinë e Drejtësisë në Kosovë, tregon për “Shekulli”-n se deri vonë të gjithë mendonin se Lulzim Basha duhet të qe ndonjë i huaj, sepse askush nuk e kishte dëgjuar të fliste shqip.
Një tjetër ish-koleg i Bashës, që ka qenë me të edhe në Utrecht, dhe më vonë në Kosovë, thotë e justifikon mosfoljen e shqipes si një dukuri normale, pasi, sipas tij, duke qenë se si studentë të sapodalë nga shkolla, po përpiqeshin të ndërtonin një karrierë në UNMIK, kjo varej më së shumti prej shefave, që ishin të kombësive të ndryshme, por asnjëherë shqiptarë.
Por, duke qenë se ishte punësuar për hetimet e krimeve të luftës, Basha nuk mund t’i shmangej çdo kontakti me vendasit. Puna e tij nënkuptonte midis të tjerash edhe përkthimin nga shqipja në anglisht të hetimeve të deponuara nga dëshmitarët, si dhe dëshmitë e të paditurve, kështu që “ndërkombëtari” Basha, pas disa muajve u mor vesh se qe shqiptar.
Gjithsesi, djali i shkolluar në Hollandë vijoi të kalonte pjesën më të madhe të kohës me ndërkombëtarë. Në rrethin e tij shoqëror gjatë 5 vjetëve të kaluar në Kosovë hynë shumë pak shqiptarë, dhe ata kryesisht nga Shqipëria. Në këtë grup miqsh bënin pjesë edhe mikesha e tij Argita Berisha-Malltezi, i shoqi, Jamarbër Malltezi, Edit Harxhi, Albana Vokshi, Florion Mima, si edhe kunati i vetë Bashës, Erion Isufi.
Ky grup, si edhe disa shqiptarë të tjerë që punonin pranë UNMIK-ut asokohe, vijojnë të jenë dhe sot një rrjet individësh, të cilët gjatë vjetëve kanë dëshmuar që kanë ditur të bëjë shumë punë, në favor e në të mirë të njëri-tjetrit.
Pak janë ish-kolegët e Bashës që ende vijojnë të punojnë në Kosovë, e ata që kanë mbetur hezitojnë të flasin për “Shekulli”-n. Ndoshta pse është fushatë elektorale. Po ç’të keqe mund të ketë vallë të tregosh për publikun historitë rinore të një nëpunësi të Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK)? Për më tepër që të gjithë miqtë e tij, në anonimitetin e tyre imponues, tregojnë se Basha i ri ka qenë një djalë elegant, gjithnjë i kujdesshëm për pamjen e tij, e nga buza e tij nuk shqitej kurrë buzëqeshja.
Por s’besojmë se arsyeja pse Basha i fshihet të shkuarës së vet është thjesht buzëqeshja e tij/fb Ekskluzive .al
vijon….