Zvicra është një makth për Serbinë në futboll. Kombëtarja helvete, edhe këtë herë arriti të fitojë ndaj homologes serbe në “Katar 2022”, në një ndeshje mjaft emocionuese dhe me tension, ku protagonist me gol ishte Xherdan Shaqiri, ndërsa lojtari më i mirë i sfidës u shpall Granit Xhaka.
Pra, një krenari shqiptare nën ombrellën e “Nati”, e cila është bërë “halë në sy” për Serbinë, duke pasur parasysh se këto të dy e eliminuan (me golat e tyre) edhe nga Botërori i Rusisë, katër vite më parë.
Serbët nuk janë ende gati ta përtypin atë që prodhoi fusha e lojës dhe përdorin alibi. Madje në një emision televiziv ata kanë shpalosur imagjinatën e çmendur me deklaratën e tyre.
“Zvicra ka paguar shtrigat për t’iu bërë magji lojtarëve të Serbisë. Ato kanë dy shtriga shqiptare, të tjerat janë afrikane. Secila prej shtrigave paguhet 10 milionë dollarë”, – thanë panelistët gjatë emisionit.
Kjo në fakt është një gjë e pazakontë, e padëgjuar më parë, ku serbët po tentojnë t’ia shesin në këtë mënyrë publikut dështimin e kombëtares së tyre në Botërorin e Katarit, ku mezi morën vetëm një pikë.
Ndërkohë, Granit Xhaka nuk do të dënohet, pasi nuk ka thyer asnjë rregull të FIFA-s për politikën në fushën e futbollit. Ylli shqiptar i Arsenalit ka udhëhequr kombëtaren zvicerane në fazën eliminatore të Kupës së Botës në Katar 2022, teksa vazhdon të tregojë se është një lojtar kyç.
Pas ndeshjes me Serbinë, mesfushori veshi një fanellë të Zvicrës, ku shkruante “Jashari”, që i referohej Adem Jasharit, i cili themeloi Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe ra heroikisht në luftë.
Në fakt ky ishte truk i zgjuar i Xhakës, sepse veshi fanellën e një bashkëlojtari te Zvicra, Ardon Jashari, ndaj nuk kishte ku ta kapte FIFA për ta dënuar. Domethënia ishte e qartë dhe serbëve iu dogji shumë…