Nga Mero Baze
Shkëlzen Berisha, djali i Sali Berishës, është pronari real i Syri TV. Prej më shumë se pesë vitesh ai e ka blerë këtë liçencë nga një ish- televizion privat drejt falimentimit, e ka ri-rregjistruar në AMA, i ka ndryshuar liçencën e pronësisë dhe është pronari “de facto” i tij. Me letra ka emëruar një ushtar të vetin, me të cilin ka pas kontrolluar bizneset në kohën e pushtetit të babait.
Nuk pati asnjë evidencë financiare gjatë krijimit dhe më tej, asnjë justifikim për miliona euro të investuara, dhe më tej akoma asnjë pengesë nga qeveria apo shteti për të vepruar në mënyrë informale në një treg të rregulluar. Nuk po flas për rrogat me dy bordero të të punësuarve, përfshi ata që shesin moral publik për korrupsionin.
Mendoni tani sikur në krye të pushtetit, ndërkohë që Shkëlzen Berisha bënte këto kate për të ndërtuar një televizion opozitar, të ishte babai i tij. E para, nuk do t’i jepej liçenca fare. Ta harronte.
E dyta, ish- drejtori i Tatimeve, që në fakt ka pas qenë përfolur boll për korrupsion dhe tani është drejtor formal i televizionit, do përfundonte në hetime dhe në burg për korrupsion, siç ndoshta dhe e meriton.
Pastrimi i pareve dhe Tatimet do kontrollonin çdo letër në televizion dhe çdo biznesmen që do guxonte qoftë dhe të ofronte reklamë aty, do të ishte në shënjestër për t’u falimentuar.
Shteti me bordero nga A tek ZH do të ndalohej të shkonte aty, madje do survejoheshin se mos e shihnin atë ekran. Dhe natyrisht pastaj do të vinin pasojat e tjera, djegie redaksie, djegie makinash, rrahje gazetarësh, deri në mbyllje.
Për fat, Shkëlzen Berisha ka hapur televizion në një “regjim tjetër”, ne atë të Edi Ramës, i cili së pari i shkon vetë i pari si mysafir në televizion, nuk i pyet kurrë ku u gjetën milionat që investohen aty, nuk merret kurrë me të shkuarën korruptive të drejtorëve formalë, nuk kontrollon borderotë e dyfishta të gazetarëve që shesin moral publik, nuk rreh njeri, nuk djeg redaksi, dhe mbi të gjitha, nuk ndjehet i frustruar pse ata ekzistojnë ashtu si janë.
Atë që nuk e bën Edi Rama në pushtet, e bën Sali Berisha në opozitë. Ai dje lëshoi një sërë kërcënimesh publike ndaj pronarëve të rinj të ABC Neës, me tërsëllimën e një njeriu që dukej sikur i kishin marrë pronën.
Pra duke qenë në opozitë, duke u sjellë si një qen endacak rrugëve, duke i kuisur çdokujt që kalon aty, duke mos pasur asgjë në dorë, veç urrejtjes për kundërshtarët, ai ka sërish kurajën të kërcënojë çdokënd që mendon se nuk e ka me vete.
Nuk kam dëgjuar ndonjë institucion që monitoron lirinë e shtypit në Shqipëri të ketë reaguar dhe nuk di nëse e kanë rregjistruar, por kërcënimi i tij ndaj pronarëve të rinj të një televizioni, vetëm pse nuk kanë bërë marrëveshje edhe me të për ta blerë, është tregues i qarte se ky njeri vuan nga ideja se duhet ta pyesin në këtë vend dhe kur bëjnë media, dhe kur japin licenca, kur bëjnë tenderë e ankande, pra në çdo gjë që ai mendon se i takon, ngaqë ndjehet në pushtet.
Dhe nuk ka faj. Disa fitore i ka arritur në këtë pikë. Në çdo leje ndërtimi te madhe gjithmonë i biri tij ka ushtarët e vet. Në çdo protestë të Berishës për leje ndërtimi në bregdet apo “meraqe për parqe” kombëtare, janë nga pas pronat e të birit, që ka hall se mos mbeten pa leje.
Jo më larg se dy javë më parë, i biri i tij është bërëe 20 për qind pjesë e një investitori strategjik prej 200 milionë euro. Aq sa ka marre gjithë jetën si sekser.
Madje ka dhe disa institucione shtetërore që i respekton më shumë Berisha se sa vet Qeveria. Dhe pasi i ka arritur këto suksese, mendon se dhe gjithë shoqëria duhet ta pyesë këtë kur shet, kur blen, kur ndërton, madje dhe kur bëjnë seks me gratë e tyre në shtëpi, pasi e ka syrin pas vrimës derës.
Rasti i djeshëm tregon qartë jo vetëm egërsinë dhe primitivizmin e një njeriu që është e shkuara më e keqe e këtij vendi, por dhe arsyen përse ai njeri nuk rri dot në shtëpi në këtë moshë të thyer, po bredh rrugëve si plak i rrjedhur, sikur të ishte pa bukë në shtëpi. Ai mendon se i takon gjithnjë pjesë në këtë vend. Dhe s’ka faj derisa askush nuk i tregon vendin.