Një vit më parë Lulzim Basha ndërmori një veprim radikal. Përkundër gjithë atyre që mendonin se ai nuk ka guxim të veprojë, ai hartoi një listë radikale deputetësh, duke shkaktuar një tërmet në Partinë Demokratike, dhe pati zëra që kërkuan dhe shkarkimin e tij para zgjedhjeve.
Sali Berisha u distancua nga vendimi, por e mbrojti Bashën nga pasojat, duke bërë thirrje të bashkoheshin dhe të vazhdonin përpara.
Një vit më pas, Sali Berisha ka bërë një thirrje radikale, për të djegur mandatet dhe për të dalë në rrugë.
Lulzim Basha është distancuar nga kjo thirrje, por i ka dhënë të drejtë Berishës, duke kërkuar të vazhdohet përpara.
Historia e kombinimit të gënjeshtrave të Berishës e Bashës, është tipike një histori mashtruesish, që në përpjekje për të gënjyer të vetët, shkëmbejnë rolet e “të butit dhe radikalit” me njëri- tjetrin, me qëllim që të mos ndodhë asgjë përtej tyre.
Në rastin e parë, kur Basha ndërmori një aksion që goditi në mënyrë të pakthyeshme PD-në dhe Berisha bëri sikur nuk ishte dakord, në fakt, Berisha bëri të vetmen lëvizje që shpëtonte Bashën.
Ai tentoi të krijojë një pol të pakënaqurish dhe të ishte vetë në krye të tyre, që t’i çonte përsëri tek Basha.
E vetmja frikë që kishte Berisha, ishte që në PD të mos kishte të pakënaqur që nuk besonin tek Berisha, pasi ata do të ishin problem real për Bashën.
Dhe ja doli që gjithë të pakënaqurit t’i mbante rreth vetes, për të mos qenë problem i Bashës.
Në rastin e sotëm, situata është dhe më komike. Berisha, i cili mendohet që ka autoritet në PD, bën “thirrje” për një lëvizje radikale, siç është djegia e mandateve, dhe ka me vete dhe Strazimirin dhe Nokën, por Basha mban vijën institucionale dhe i qetëson, duke u dhënë të drejtë për një gjë nuk bëhet.
Është pak a shumë si në ato skenat me të fortët e lagjeve, ku njëri bërtet me të madhe: “Mbamëni se do ta vras”.
Dhe Berisha ja ka besuar rolin për t’i mbajtur duart në këtë rast, Bashës.
Tallja e Berishës me militantët është aq reale, sa shumë prej tyre janë vërtet duke vajtuar si nuk i la Luli të përmbysnin pushtetin tek Ministria, dhe si nuk po i lë të djegin dhe mandatet, dhe pastaj të marrin pushtetin.
Por çuditërisht Luli paska fuqi më të madhe se Berisha dhe u ka lidhur duart. Një shaka pa kripë.
Kjo histori hipokritësh, që në fakt ka për qëllim vetëm të ruajë monopolin e tyre në krye të PD-së, është ajo që po e dërrmon më shumë se çdo gjë tjetër opozitën shqiptare, që po e zvogëlon në çdo palë zgjedhje, që po e rrudh në çdo palë protestash dhe që po e bën qesharake në çdo betejë.
Këto tallje me PD-në dhe elektoratin e saj, po e bëjnë PD-në të paqartë, të pafuqishme, të pashpresë dhe mbi të gjitha, të pabesueshme në çdo lëvizje të saj.