Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda, vendosi sot pasdite të shfuqizojë masën e arrestit në shtëpi të dhënë dy javë më parë nga Gjykata e Shkallës së parë ndaj ish ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri për të cilin Prokuroria ka ngritur akuzën për “Trafikim të narkotikëve, në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal”, dhe “Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë”.
“Pati përballje prej afro 120 minutash, Tahiri ka folur për afro 20 minuta duke pretenduar se s’ka asnjë kusht e kriter e prova që e implikojnë atë në trafik narkotikësh
Nga ana proceduriale ka folur avokati Maksim Haxhia. Trupa gjykuesse ka qëndruar ne dhomen e Keshillimit afro 30 minuta për të dhënë vendimin.
Zoti Tahiri në këtë moment është shtetas i lirë, pa asnjë masë sigurie. Pra është shfuqizuar tërësisht vendimi i gjykatës së shkallës së Parë. Sot treshja ka shpallur zyrtarisht vetëm dispozitivin, pra s’ka dhënë arsyetim pse e ka bërë këtë ndryshim”, tha gazetarja Lala për News 24.
Seanca e sotme pati një interes të veçantë për shkak të komenteve të mbrëmshme të ambasadorit amerikan Donald Lu i cili deklaroi se “kemi dëgjuar disa raportime nga burime të pavarura për presione serioze në këtë çështje, përfshirë edhe rryshfete që u janë ofruar gjykatësve”. Ai i bëri “thirrje shoqërisë civile dhe medias që ta vëzhgojnë këtë çështje me vëmendje, në mënyrë që vendimi të bazohet mbi provat dhe ligjin dhe jo mbi presione, kërcënime apo para. Askush nuk është mbi ligjin”, theksoi ambasadori amerikan.
Por përpara nisjes së seancës avokati Haxhia u shpreh mesazhi i ambasadorit amerikan “ishte shumë i rëndësishëm që gjykata të gjykojë në prova dhe ligj” duke shtuar se “nëse ndodh kështu Tahirit sot duhet t’i hiqet masa e arrestit në shtëpi”.