Nga Drini Kuqo/
Ndodhemi përballë një fakti të pabesueshëm, për këdo që nga nostalgjia kthehet dhjetë vjet për të ridëgjuar “Shqipëria po ndryshon”, këngën hit të fushatës së Partisë Demokratike në vitin 2009.
Përtej një kamere të vendosur qëllimisht me një kënd të ulët, për të reflektuar imazhin e një lideri të sigurt dhe të fuqishëm, falë lidhjes së provuar psikologjike të fuqisë me gjatësinë, ajo që bie në sy në atë videoklip të shkëlqyer janë sheshet e tejmbushur me qytetarë që valëvisnin flamujtë e Partisë Demokratike.
Dhjetë vjet më pas, ndodhemi përpara një realiteti të ri, në të cilin edhe mbledhjet e përvitshme të Dëshmitarëve të Jehovait në stadiumin “Selman Stërmasi” arrijnë të grumbullojnë më shumë persona se protestat e opozitës, për më tepër jo tubime spontane, por protesta të mirëorganizuara dhe të mirëfinancuara.
E nëse Dëshmitarët arrijnë të mbushin plot për plot një stadium me kapacitet prej 12 mijë personazh, kauzat “fisnike” të opozitës janë dezertuar nga të gjithë, përveç një garde të besuar pretoriane, të përbërë nga militantë të përbetuar.
Përtej arsyeve politike dhe një lodhje të natyrshme të individëve nga një politikë e gjatë konfliketuale, sociologjia jep një formulë të qartë për suksesin e tubimeve masive.
Përkufizimi më i qartë është formuluar nga Karl Marks, i cili sheh të domosdoshme për të nxitur një ndryshim social përmes protestave apo një revolucioni, një lidhje midis problemeve individuale me çështjet publike, një lidhje që sipas tij projekton biografinë në një strukturë dinamike ndryshimi historik.
Suksesi i këtij modeli tradicional, sipas Marksit lidhet në aftësinë e drejtuesve për të krijuar një model shoqëror që ndërgjegjëson njerëzit për impaktin e tyre politik dhe potencialin e tyre për t’iu kundërvënë pushtetit.
Nëse modeli dialetik për ndryshimet historike i Marksit merret si i mirëqënë, dështimi i protestës së 26 majit mund të shpjegohet me një paaftësi kronike të Partisë Demokratike për të frymëzuar njerëzit e pakënaqur rreth një modeli, në të cilin ata mund të identikohen.
Një tjetër arsye mund të jetë paaftësia e PD për të artikuluar kauzat e saj, por nëse besojmë që Platoni ka të drejtë kur thotë se njerëzit grumbullohen spontanisht kundër padrejtësisë, “sepse drejtësia jeton në radhë të parë në zemrën e individëve të thjeshtë”, atëherë kauzat morale të artikuluara nga opozita, midis të cilave korrupsioni apo krimi, duhet të ngjitnin lehtësisht në opinionin publik.
Në këtë situatë, ka vetëm dy skenarë të mundshëm. I pari, që individët nuk bashkohen me kauzat e PD sepse nuk ndihen të identifikuar në to. E dyta, ata ose nuk ndiejnë tek demokratët aftësinë për të ndryshuar situatën ose pastaj gjërat nuk janë vërtet ashtu siç pasqyrohen në retorikën e opozitës.
Nga ana tjetër, Maks Ueberi, përmes modelit të “rolit të ideve në orientimin e historisë”, jep një shpjegim më të thjeshtë për t’u kuptuar.
Sipas tij, nuk bëhet fjalë për “saktësinë e modelit” të ndjekur apo rëndësinë e kauzës së përdorur, por për aftësinë e liderave për të iluminuar masat mbi panoramën sociale në momentin e dhënë të kohës.
Mbi bazën e këtij modeli, nuk është e nevojshme që personat të jenë politikisht aktivë për të marrë pjesë në një protestë.
Suksesi ndikohet pa dyshim nga struktura sociale, biografia individuale dhe epoka specifike historike, por mbi të gjitha aftësia për të organizuar një tubim të sukseshëm lidhet me “imagjinatën sociologjike”, e cila nga ana e saj gjeneron automatikisht një aktivizëm politik.
E thënë me fjalë të thjeshta, mbi bazën e këtij modeli, dështimi i protestës së opozitës lidhet eksluzivisht me paaftësinë e PD-së për t’i apeluar ndërgjegjes së masave, çka nga ana tjetër sjell një deaktivizim politik të individit potencialisht të pakënaqur.
Mbi bazën e këtij modeli, opozita jo vetëm që nuk po arrin të nxisë tharmin e një ndryshimi historik, por po bën pikërisht të kundërtën, duke frymëzuar pikërisht pasivitetin dhe apatinë tek ndjekësit e saj potencialë.
Në fjalët e Veberit, problemi i opozitës lidhet me një model të korruptuar moral, që nuk ka apel tek masat.
Nëse të dy këto teori, shpjegojnë të paktën pjesërisht suksesin apo dështimin e mundshëm të një tubimi, Partia Demokratike duhet të lexojë një përfundim të qartë.
Pikë së pari, është e rëndësishme që kauzat e saj të mos ndryshojnë sipas oportunitetit politik, por të jenë të qënësishme dhe të qëndrueshme në kohë.
Dhe e dyta, mbase më e rëndësishmja, PD sot ka një problem të madh me ngacmimin që ngjall të nënndërgjegjet tona. Tempizmi i këtyre protestave, pak përpara vendimit të mundshëm për hapjen e negociatave duket se gjithashtu nuk ka ndihmuar, pasi edhe pse të pakënaqur, shumë njerëz kanë identifikuar këto protesta me një akt të dëmshëm për të ardhmen e vendit, e njehsuar kjo në ndërgjegje me lëmin e interesave dhe kauzave të brendshme individuale.
Kjo mund të rregullohet vetëm në një mënyrë, duke hapur dyert e PD-së nga figura moralisht të pakorruptuara e mbi të gjitha personazhe, ku njerëzit të mund të identifikohen.
Në rast të kundërt, dita kur PD do të vijë në pushtet sërish, qoftë kjo në një të ardhme të afërt apo të largët, do të jetë edhe kjo një ngjarje e lidhur vetëm me oportunizmin e një momenti të caktuar në historinë e vendit, e jo me shpresën apo kauzat që një opozitë ka për detyrë të përfaqësojë.