Nga Besi Bekteshi
A ju kujtohet ai skeçi i Estradës së Shkodrës ku “stigmatizohet” Refiku si prishësi i dasmës? Po i të madhit Paulin Selimi dhe ku luajnë të mëdhenjtë Miloti, Preka, Çinari, Biga etj etj! Po, me datën 6 dhjetor, do të mblidhen nga Evropa në Tiranë. E kanë caktuar ata vendin dhe datën.
E sigurisht duke pasur parasysh dhe qeverinë e sotme dhe Ramën! Ne mund të mos na pëlqejë fare, po fare fare Rama, por ata e kanë caktuar Tiranën, ku kryeministër është Rama si një vend të rëndësishëm për tu bërë një takim i përmasave të tilla. Në të vëretetë është nder për ne! Kur është nder që marrim një finale futbolli, si nuk është nder kur ka një samit politike dhe gjeostrategjik Evropian bëhet në Tiranë.
E kjo kur është Kryeministër Rama i Surrelit! Kjo nuk ka ndodhur kur ishte Kryeministër Berisha i Viçidolit e ndoshta dikush është xheloz! Është nder dhe padyshim ka meritë dhe Rama që nuk e kemi aspak qejf sepse nuk është për tu pasur!
Po, por e kanë qejf ata në Evropë! Se përndryshe nuk do të vinin në Tiranën e Ramës që nuk e kanë aspak qejf populli opozitar i Sali B! Ose politikisht e thënë – nuk mund të jetë një politikan që nga lartësitë Evropiane të premiohet me një Samit të tillë të madh dhe që nuk është në respekt të tyre.
Këtë gjë e dinë dhe ata në kopësht, por nuk është se e dinë (as interesohen në këtë drejtim) militantët e popullit opozitar të Berishës. Ky e paralajmëroi që do të bënte minimumi Refikun e dasmës së “Edit me krushq Makronin dhe Shulcin e Von Der Leyen”!
Unë them Refikun, por nuk e di në se do të jetë i zoti të bëjë Berishën! Sali B-ja që i mbeti hatri nga Felaj para gazetarëve tha kështu: Shqiptarët do t’i hyjnë vezirit brenda thuhet. Protesta e radhës nuk është vendosur akoma, do vendoset brenda dy ditësh e do jetë brenda vitit.
Këtu zbret Europa e duhet të shohë popullin e saj. Betejë për fjalën e lirë dhe dinjitetin”, tha ai. Në fakt unë po them kot Refikun! Sali B, thotë se do ti hyhet vezirit brenda dhe kuptohet se Veziri është Rama dhe kalaja e tij dihet kush është? Pra Sali B, po paralajmëron se nuk do të luajë Refikun por “Memën” që ti hyjë Vezirit mrena! E këtu nuk do të kemi të bëjmë me skeçin e estradës së Shkodrës, por me këngën e Havza Zyberit “çoni djem shaloni atin”! Po pra që thotë: T’kishe pasë o nji djal o si Mema. Paç me i hy o vezirit mrena. Paç me ia lan oxhakun me femna !! Pra unë e kam gabim! Sali B nuk luan Refikun, por Memën!
Ai me sa duket do që të falë vetëm gratë ministre të Ramës! Do ti hyjë kalasë dhe Vezirit mrena! E po pres me padurim çfarë vendimi do të marrë për protestën e madhe të 6 dhjetorit! Po po, kështu shpresoj ta vendosë datën Doktori në qoftëse i thotë vetes Sali B! E jo të bëjë Refikun e Çinarit dhe Prekës, por Memën që – me ja lan oxhakun me femna pikërisht Vezirit pra! Rafiku i popullit opozitar apo Mema i popullit luftëtar opozitar? Kjo është dilema sot!
Nuk ka rëndësi më se çfarë Samiti bën Makroni me Shulcin në Tiranë me 6 dhjetor , por se çfarë roli do të luajë Berisha – Refikun apo Memën! Pra thjesht do të bëjë të besdisurin dhe prishësin e festës apo do të marrë me sulm Parlamentin apo Kryeministrinë si dikur 1998!? Sepse po nuk bëri as Refikun as Memën, do të thotë se ka mbaruar dhe Berisha! Ai nuk do të ishte më askushi!
E dini pse? Sepse e bëri e lëshoi opsionin e Memës dhe e ka të regjistruar video e audio! E populli opozitar pret! Por në pamundësi ta bëjë atë, mbase i ul pak synimet dhe bën Refikun! Por të mos bëjë asgjë, asnjërin prej këtyre roleve Sali B pikërisht me popullin e tij opozitar ( sepse ka dhe popull pozitar në Shqipëri) do të thotë se ka mbetur mirë pa pushtet, por dhe pa rol.
Kjo do ishte tragjike. Po po, kjo pastaj do të ishte tepër e vështirë për ta kaluar me format zakonisht të tija që kur e pyet për diçka që nuk do ti përgjigjet flet për gjëra që nuk kanë lidhje me çfarë e pyet! Mezi po presim vendimin e protestës së madhe me 6 dhjetor dhe Memën që ti hyjë Vezirit mrena dhe ta kursejë oxhakun, sëpaku vetëm me femna! Po presim pra! Po po delirin e fundit të Memë folklorikut që as rolin e Refik qytetarit nuk e luan dot – ose Sali Berisha!