“Alkooli për burrat është”! Këtë shprehje e keni dëgjuar shpesh, ashtu si ne, por këtë e ka thënë edhe një këngëtar i njohur shqiptar, i cili u pendua pas një debati që bëri live në televizion, pasi i doli pija.
Epo ndonjëherë edhe të famshmit duhet të çlirohen dhe të pijnë dy gota më shumë! “Iconstyle.al” sjell sot disa nga gjërat më të çmendura që kanë bërë personazhe të njohur të ekranit shqiptar, pasi kanë qenë të dehur. Disa nga këta persona kanë qenë në festa private, ndërsa të tjerë kanë dalë në ekran në gjendje të dehur.
Por kush është personi më i famshëm shqiptar që ka bërë diçka gjënë më të çmendur kur ka qenë i dehur? Këtë do ta shihni më poshtë:
Kastro Zizo u hodh në pishinë me gjithë rroba live
E mbani mend se kur ka ndodhur? Sigurisht që ju kujtohen puntatat e fundit live të emisionit “Zonë e lirë”. Kastro Zizo është dehur mjaft keq në njërën prej tyre. Momenti më kulminant ishte kur pas një kërkese të Arian Çanit, Kastro Zizo u hodh në pishinë me gjithë rroba. Pati dhe disa momente kur këngëtari shante dhe fliste pa pushim dhe ndërhynte në skenarin e Çanit, aq sa Sofia u detyrua t’ia hiqte mikrofonin.
Endri Prifti ka debatuar me Alketa Vejsiun në skenë
“Your Face Sound Familiar”, solli një përplasje që në natën e parë të tij në vitin 2016. Prezantuesja Alketa Vejsiu dhe këngëtari Endri Prifti replikuan mes tyre në skenë, ndërsa nuk munguan as fyerjet ndaj njëri- tjetrit. Pas performancës së tij, këngëtari Prifti iu drejtua prezantueses me fjalët:
“Për mua nuk ka asgjë të vështirë. E kam kënduar këtë këngën për 3 minuta. Mbrëmë Alketa Vejsiu, kjo ylli, kjo princesha, kjo bukuria, dje ishte me tuta sportive dhe më shkatërrove fare, sot je bërë si sirenë”.
Ndërsa prezantuesja iu përgjigj: “Bëj pak pushim që të të vijnë idetë”.
Një ditë më pas, Endri Prifti pranoi se ishte i dehur dhe se po atë natë kishte pirë për Ditën e Verës. Ai u justifikua dhe me shprehjen: “Alkooli për burrat është”.
Adrian Gaxha u përplas me shtyllën dhe i kërkoi falje
Adrian Gaxha ka pasur gjithashtu një episod të pakëndshëm nga alkooli aq sa ka humbur vetëdijen.
“E mbaj mend një rast, dola nga klubi dhe isha shumë i pirë. Jam njeri që rrallë pi alkool, por kur pi mundem 2-3 litra dhe pak me vonesë më kap alkooli. Mbaj mend që dola nga klubi në Shkup ku festova ditëlindjen time dhe ia futa shtyllës e fillova t’i kërkoj falje duke menduar se është njeri. Një herë tjetër jam rrëzuar nga makina dhe asfalti më dukej si krevat dhe ashtu më ka zënë gjumi nja 4-5 orë të mira”, tha ai.
Ermal Mamaqi ka vrapuar me mbathje në rrugë
Ka qenë një rrëfim intim, por që u përhap gjerësisht në media. Gjatë ceremonisë së hapjes së një lokali në Tiranë, ku ka qenë i pranishëm Ermal Mamaqi ka treguar se në gjendje të dehur, ai ka vrapuar vetëm me mbathje. Dhe për ta bërë më të besueshëm këtë fakt, Ermali ka shtuar se njëra nga aktoret e Portokallisë e ka filmuar skenën duke patur kështu një video, me të cilën i bën presion.