Avokati i ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, Maks Haxhia, ka mbërritur në Gjykatën e Apelit për Krimet e Rënda. Haxhia komentoi deklaratën e ambasadorit Donald Lu, i cili tha një ditë më parë se gjyqtarëve ju ofrohet ryshfet.
Sa i takon kësaj, avokati i Tahirit tha se lidhet me kalkulimin e opinioneve, ndërsa pjesën e dytë të mesazhit të Lu, se gjykata duhet të vendosë bazuar në prova dhe fakte, Haxhia theksoi se nëse kjo do të ndodhë, Tahiri sot do të jetë i lirë.
Mesazhi i Lu ishte shumë i rëndësishëm dhe dimensional. Atë mesazh e ndava në dy pjesë, pjesa e parë lidhet me kalkulimin e opinioneve, të dyja palët kundërshtare hapin fjalë për presione dhe para. Mesazhi i Lu ishte sh i rëndësishëm që gjykata të gjykojë në prova dhe ligj, dhe nëse ndodh kështu Tahiri sot duhet t’i hiqet masa.
Avokati Maks Haxhia
Ndërkohë, në Gjykatën e Apelit të Krimeve të Rënda pritet të mbërrijë dhe ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, shoqëruar nga një makinë policie. Ish-ministri Tahiri kërkon heqjen e masës së sigurisë ‘arrest shtëpie’, të vendosur nga Gjykata e Shkallës së Parë. Kërkesa për heqjen e kësaj mase është dorëzuar një javë më parë nga avokati mbrojtës i ish-ministrit, Maks Haxhia.
Ndërkohë, Apeli i Krimeve të Rënda do të vendosë sot për ish-ministrin, i cili akuzohet si bashkëpunëtor në trafikun e drogës me Habilajt. Tre gjyqtarët e Apelit për Krime të Rënda që do të vendosin masën e sigurisë së Saimir Tahirit janë kryesuesja Saida Dollani dhe anëtarët, Sokol Binaj e Fehmi Petku.
Prokuroria ka dyshime se ish-ministri i Brendshëm ka takuar në një hotel në Korfuz Artan Habilajn, vëllain e Moisi Habilajt, i arrestuar në Itali në tetor të vitit 2017, si kreu i grupit kriminal të trafikut të drogës.
Nga ana e tij, Saimir Tahiri dorëzoi në fillim të muajit maj mandatin e deputetit, duke deklaruar se do të përballet me akuzat e Prokurorisë, deri në zbardhjen e plotë të të vërtetës.
Ndërkohë, pak orë përpara kësaj seance të rëndësishme të gjykatës, është ambasadori amerikan, Donald Lu, i cili ngre hije dyshimi të forta. I dërguari i Uashingtonit ka thënë se vendimi i Apelit duhet të bazohet mbi prova dhe jo presione.
Kemi dëgjuar disa raportime nga burime të pavarura për presione serioze në këtë çështje, përfshirë edhe ryshfete që u janë ofruar gjykatësve. Ne i bëjmë thirrje shoqërisë civile dhe medias që ta vëzhgojnë këtë çështje me vëmendje, në mënyrë që vendimi të bazohet mbi provat dhe ligjin dhe jo mbi presione, kërcënime apo para. Askush nuk është mbi ligjin
Donald Lu, ambasador i SHBA në Tiranë/ Shqiptarja.com