Tetë diplomatë ndërkombëtarë, me kërkesë të mbrojtjes së Hashim Thaçit, pritet të japin dëshminë e tyre në procesin gjyqësor ndaj ish-presidentit të Kosovës.
Në gjyqin e Dhomave të Specializuara të Kosovës ndaj ish-presidentit Thaçi janë ftuar të dëshmojnë ish-gjenerali i NATO-s, Wesley Clark, ish-administratori i parë në Kosovë, diplomati francez Bernard Kouchner dhe gjashtë të tjerë. Në një shkresë dorëzuar pranë Dhomave të Specializuara, mbrojtja e Thaçit i ka bërë të ditur emrat e tetë diplomatëve të ftuar për të dëshmuar në proces.
Përpos Clark dhe Kouchner, tetë emrat e dëshmitarëve të propozuar përfshijnë edhe: Steve Bennett, Jock Covey, Michael Durkee, Daan Everts dhe William Walker. Steve Bennett është një ish-funksionar i OSBE-së në Kosovë.
Ai kishte shërbyer si drejtor i Departamentit për Edukimin dhe Zhvillimin e Policisë nga viti 1999 deri më 2006. Më 5 nëntor 2020, dhomat e specializuara të Kosovës me seli në Hagë konfirmuan aktakuzën për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit ndaj Thaçit, si dhe liderit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli.
Në të njëjtën ditë, Thaçi në një konferencë për media njoftoi se po jep dorëheqje nga posti i kryetarit të institucioneve të përkohshme të Prishtinës dhe se iu dorëzua autoriteteve gjyqësore në Hagë. Paraprakisht, aktakuza është konfirmuar edhe ndaj Jakup Krasniqit, zëdhënës i ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe Rexhep Seljimit, shefit të grupit parlamentar të Lëvizjes “Vetëvendosje”.
Sipas aktakuzës, këto krime ata i kanë kryer në periudhën nga marsi i vitit 1998 deri në shtator të vitit 1999 më së voni në disa vende në Kosovë dhe në veri të Shqipërisë.