Izet Haxhia do të vuajë përfundimisht 21 vite burg. Gjykata e Apelit të Tiranës ka lënë në fuqi vendimin e shkallës së parë. Vendim i dhënë nga Gjykata e Shkallës së Parë për Izet Haxhinë. Gjykata e Tiranës e dënoi Haxhinë në shkurt të këtij viti me 21 vite burg, në lidhje me vrasjen e ish-deputetit demokrat Azem Hajdari në vitin 1998. Ai u dënua për veprën penale “vrasje me paramendim e kryer në bashkëpunim.
Për drejtësinë shqiptare Izet Haxhia është bashkëpunëtor në vrasjen e Azem Hajdarit në 1998-ën, duke e dënuar me 21 vite burg. Në Apel prokuroria kërkoi dënimin me 25 vite burg ndërsa Haxhia kërkoi shpalljen i pafajshëm. Vendimi i sotëm është marrë nga trupi gjykues me Relatore Gjyqtare Marsela Dervishi dhe anëtarë Alma Ahmeti dhe Ornela Naqellari.
Ky ishte procesi i dytë ndaj Haxhisë. Më herët ish-truproja i Sali Berishës, u dënua në mungesë me 25 vite burg. Prej vitesh i arratisur në Turqi, Izet Haxhia fitoi të drejtën e rigjykimit pasi pranoi t’i dorëzohej autoriteteve shqiptare, edhe pse Turqia rrëzoi disa kërkesave ekstradimi nga pala shqiptare.
Më 8 Maj 2018 Izet Haxhia preku tokën shqiptare me pranga në duar për t’u vendosur në qelitë e paraburgimit 313. Nga ajo ditë ai nisi betejën ligjore për pafajësi. Fillimisht iu pranua rigjykimi, por plot 12 kërkesa për t’iu hequr masa e arrestit me burg iu refuzuan.
Përgjatë procesit të rigjykimit Hazhia kërkoi të ballafaqohej dhe të dëshmonte në gjyq për vrasjen e shekullit edhe ish kryeministri Sali Berisha, që sipas ish-truprojës ka urdhër vrasjen e Hajdarit, por kjo kërkesë u refuzua nga gjykata. Më 12 shtator 1998 në një atentat mafioz u vra Azem Hadjari, krim për të cilin pas dënimit me burg përjetë të Jaho Mulosmanit, u dënua edhe Izet Haxhia.
Drejtësia ftoi në këtë proces të ishin edhe familjarët e ish-deputetit në pozicionin e trashëgimtarëve të viktimës, por ata zgjodhën të braktisin procesin dhe nuk u përfaqësuan as me avokat.