Tragjedi për familjen shqiptare. Mbrëmjen e djeshme, ka humbur jetën një 22-vjeçare dhe tre fëmijë, të moshave 2, 10 dhe 12 vjeç, ndërsa burri ka mbetur i lënduar rëndë. Ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 20:00 në Via Emilia midis Cadé dhe Villa Gaida, në provincën e Reggio Emilia, drejt Parmës.
Makina, Fiat Stilo e errët, ishte nisur në drejtim të Sant’Ilario, kur drejtuesi i mjetit, humbi kontrollin dhe doli nga rruga dhe u përplas me një shtëpi. Policia dhe zjarrfikësit ndërhynë për nxjerrjen e personave brenda llamarinave të përdredhur të makinës dhe e gjithë ndërhyrja zgjati shumë. I plagosuri u dërgua në gjendje shumë të rëndë në spitalin Reggio Emilia.
Deri më tani, është zbuluar se 22-vjeçarja ishte nëna e 2-vjeçarit, ndërsa nuk dihet nëse fëmijët e tjerë ishin të tyre apo të të afërmëve.