Gjithsesi, duke qenë se kjo protestë ishte e përbashkët, nuk dihet se cila ka kontribuar më shumë PD apo LSI në boshatisjen e sheshit para Kryeministrisë.
Adriatik Doci
Do të mbahet mend si një ndër protesta me pjesëmarrjen më të ulët qytetare që kanë organizuar ndonjëherë Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste që nga themelimi i tyre. Protesta e djeshme, për rrëzimin e qeverisë ‘Rama 2’ dhe krijimin e një qeverie teknike, është e pakrahasueshme me çdo protestë tjetër të mëparshme, të organizuara nga PD, LSI apo të dyja së bashku, sa i takon pjesëmarrjes. Për rrjedhojë, organizatorët e protestës, port herë të parë, nuk kanë artikuluar shifra deri në 50 herë më të larta, sa i takon pjesëmarrësve në protestë.
Report Tv solli pamjet me dron nga protesta e opozitës para godinës së qeverisë, pikërisht ne momentin që po fliste kryetari i Partisë Demokratike, Lulëzim Basha. Ky ishte edhe momenti që shënoi edhe kulmin e tubimit. Pamjet nga lart treguan se pjesëmarrja në protestën e bashkuar PD-LSI ka qenë jashtëzakonisht e ulët.
Sikur dukej nga pamjet, sheshi para Kryeministrisë, ishte pothuajse bosh. Refuzimi në masë i demokratëve dhe i mbështetësve të LSI për të dalë në protestë mundësoi edhe dështimin e planit të opozitës kundër qeverisë me anë të dëshmitarit X, i njohur edhe si ‘Babalja’. Në protestën e djeshme kishte më pak protestues se çdo herë tjetër kur ka protestuar opozita. Ndërkaq, lidhur me këtë fakt ka reaguar deputetja e LSI, Floida Kërpaçi e cila ka thënë se policia ka bllokuar mbështetësit e kësaj force politike që të mbërrinin në Tiranë.
“Mjaft aktivistë të LRI u bllokuan nga policia. U pengua ardhja e të rinjve. Kjo tregon se Edi Rama ka frikë, ka frikë nga qytetarët”, ka pohuar Kërpaçi. Gjithsesi, duke qenë se kjo protestë ishte e përbashkët, nuk dihet se cila ka kontribuar më shumë PD apo LSI në boshatisjen e sheshit para Kryeministrisë.
Paralajmërohen krerët e degëve
Mbyllja e protestës së djeshme është shoqëruar me lëvizje intensive, nervozizëm dhe paralajmërime në kampin e opozitës. Burime pranë Partisë Demokratike thanë se mungesa e pjesëmarrjes në protestë në raport me parashikimet, ka përplasur organizatorët kryesorë të protestës me krerët e degëve të Partisë Demokratike.
Disa ditë më parë, në kuadër të përgatitjeve për protestën, kryetari i opozitës, Lulzim Basha zhvilloi një mbledhje me kryetarët e degëve të PD, të cilët i porositi për të maksimizuar pjesëmarrjen në protestë. Pjesëmarrja masive ishte deklaruar edhe nga Sekretari i Përgjithshëm i PD, Arben Ristani, si mesazhi i kësaj proteste. Por, pas boshatisjes së sheshit, krerët e degëve të PD janë paralajmëruar se do të mbajnë përgjegjësi. Ndërkaq, krerët e degëve kanë pretenduar se shkak për pjesëmarrjen e ulët ka qenë LSI, e cila nuk i ka angazhuar mbështetësit e saj. Por, përfaqësuesit e LSI kanë pohuar se mbështetësit e saj kanë marrë pjesë 100 %.