Qeveria ka miratuar dje Buxhetin 2023 dhe zgjat gjendjen e emergjencës për krizën elektrike deri në 30 qershor. Ministria e Financave dhe Ekonomisë dorëzoi në Këshillin e Ministrave projektbuxhetin për vitin 2023.
Në një deklaratë për mediet, ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj deklaroi se kryefjala e këtij projektbuxheti është vijimi me politika mbështetëse për mosrritjen e çmimit të energjisë elektrike për konsumatorët dhe bizneset e vogla, si dhe vijimi i politikave sociale për kategoritë në nevojë, për të ruajtur të paprekura buxhetet familjare.
“Gjatë vitit 2023 ne parashikojmë që ekonomia shqiptare të rritet me 2.6 %. Ky buxhet do të vijojë të mbështesë mosrritjen e çmimeve të energjisë elektrike për konsumatorët familjarë dhe bizneset e vogla. Do të vijojmë me politikat sociale për kategoritë në nevojë për të ruajtur të paprekur buxhetet e familjeve shqiptare dhe bizneseve”, tha ministrja.
Qeveria zgjat gjendjen e emergjencës për energjinë elektrike Qeveria shqiptare ka zgjatur gjen djen e emergjencës për energjinë elektrike deri në 30 qershor 2023. Vendimi i cili hyn në fuqi ditën e sotme, sapo është bërë publik në fletoren zyrtare. Gjendja e emergjencës ishte parashikuar që të përfundonte në 31 dhjetor 2022.“Me propozimin të Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave V E N D O S I:
Në vendimin nr.584, datë 8.10.2021, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen këto shtesa dhe ndryshime: Pas pikës 2 shtohet pika 2/1, me këtë përmbajtje: “2/1.Vendosjen e detyrimit të shërbimit publik ndaj prodhuesve me përparësi të energjisë elektrike, që kanë kontratë me shoqërinë “Furnizuesi i tregut të lirë”, sh.a.
Këtyre prodhuesve me përparësi i vendoset detyrimi i shërbimit publik për shitjen e energjisë elektrike te shoqëria “Furnizuesi i tregut të lirë”, në përputhje me çmimin e përcaktuar nga Enti Rregullator i Energjisë, në bazë të metodologjisë së miratuar me vendimin nr.687, datë 22.11.2017, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e metodologjisë për përcaktimin e çmimit vjetor të blerjes së energjisë elektrike, që do t’u paguhet prodhuesve ekzistues me përparësi”, i ndryshuar, gjatë periudhës së gjendjes së emergjencës në furnizimin me energji elektrike.”. Në pikën 5, fjalët “… 31 dhjetor 2022.” zëvendësohen me “… 30 qershor 2023.”, thuhet në vendim.
Ulja e borxhit publik Ministrja e Ekonomisë, Delina Ibrahimaj u shpreh se qeveria pret që të ulet niveli i borxhit publik në 70% si dhe synon që të kalohet në balancë primare pozitive që prej vitit të ardhshëm.
“Nga ana tjetër, kemi qenë mjaft të vendosur për të ruajtur qëndrueshmërinë e financave publike. Në rishikimin e fundit të buxhetit në korrik kemi ulur deficitin e GDP në 4.1%. Ne presim që deficit fiskal në 2022 të jetë më i ulët se kufiri ligjor i rishikiuar. Presim që borxhi publik të jetë nën nivelin 70% të GDP deri në fund të këtij viti nga 73.2% që ishte në fund të 2021.
Sa i përket objektivave kryesore, mbetemi të përkushtuar në uljen e borxhit publik në përputhje me rregullat fiskal, synojmë të kalojmë në balancë primare pozitive nga viti i ardhshëm dhe nga 2024 bëhet detyrim ligjor që e bën të detyrueshme arritjen e një balance pozitive. Brenda kufijve që na lejon hapësira fiskale, mbetemi të përkushtuar për të zbutur ndikimin e krizës në shoqërinë tonë”, tha Ibrahimaj.
Sa i takon projektligjit për Amnistinë Fiskale, ministrja e Ekonomisë u shpreh se nuk ka një datë për miratimin e Amnistisë Fiskale ndërsa shtoi se po punohet për ligjin. “Amnistia fiskale është një ligj i veçantë dhe nuk është parashikuar në projekt buxhetin që miratuam. Është ende në konsultim publik me partnerët ndërkombëtarë dhe nuk kemi ende një datë për miratimin e këtij ligji”, tha ajo.