Artan Lame ka shpjeguar disa detaje mbi historinë e floririt që mbreti Zog mori nga Shqipëria me largimin e tij në datat 6-7 prill 1939, kur Italia kishte pranuar se do të sulmonte Shqipërinë nëse mbreti Zog nuk pranonte të drejtën për t’i dhënë Italisë shumë aksese të pushtetit.
Sipas dokumentave në Arkivin e Shtetit, cituar në “Opinion” është fjala për 178 kilogramë flori, që përllogaritur në kursin e sotëm shkon në 5 milion e 936757 Euro.
“Në autokolonën e mbretit udhëtonin edhe 11 valixhe me afro 178 kg flori që ai kishte marrë me vendim të Këshillit të Ministrave mbrëmjen e datës 6 prill të 1939-ës. Historia e floririt që Zogu mori me vete ka qenë gjithnjë objekt debati.
Dokumentet e Arkivit të Shtetit sqarojnë se në datën 6 prill të 1939-ës rreth orës 21.00 Mbreti urdhëroi ministrin e Financave, Kol Thaçi, që e gjithë gjendja e Thesarit të Shtetit t’i bëhej atij prezent. Në fakt, ari i Shqipërisë ruhej kryesisht në Banka di Napoli (2454 kg ar) dhe vetëm një pjesë e vogël floriri (afro 178 kg) gjendej në kasafortën e Bankës së Shqipërisë.
Arkëtari i Përgjithshëm, Ramadan Berberolli, sipas urdhrave të qeverisë, i dorëzoi Mbretit shumën prej 448535 monedhave ar në shtëpinë e Koço Kotës dhe afro 118195 monedha, vonë në mesnatë në shtëpinë e vëllait të Mbretit në afërsi të Stadiumit të sotëm “Qemal Stafa”. Zogu i zhvillonte mbledhjet e qeverisë aty. Sipas dokumenteve Mbreti Zog tërhoqi në total 566975.5 franga ari.
Thuajse gjithë atë që kishte në dispozicion Thesari Shqiptar. Nisur nga llogaria që një Napolon Flori përbëhej nga 20 Franga ar, Mbreti kish marrë me vete një shumë prej 27848 Napolonash flori. E kalkuluar me kursin e floririt të sotëm (Kursi i datës 10 Shtator 2014), rezulton se Mbreti Zog kish marë me vete, një shumë të barabartë sot me 5 milion e 936757 Euro.
Në kujtimet e tij Mbreti sqaron se pjesa kryesore u shpërnda nën kujdesin e një komisioni prej 7 vetash për zyrtarët e dalë në Larisa, Follorinë dhe Beograd. Por askush nuk di të thotë sot sesa mund të ketë qenë sasia e arit që Mbreti posedonte personalisht dhe që e ruante në kasafortën e tij në Pallat, por ashtu si edhe bizhuteritë dhe gjërat e tjera me vlerë”.