Nga Skënder Minxhozi/
Tani që sheshi foli, të gjithë e dimë se Lulzim Basha bëri një gabim të madh më 26 maj. Njërin ndër shumë gabimet e ngjashme që ka bërë këto vite, poshtë zyrave të Edi Ramës. Thirri rreth vetes popullin opozitar për të treguar sesi përkrahësit e tij e përjetojnë aferën e audiopërgjimit-akuzë ndaj vëllait të Fatmir Xhafajt. Dhe populli opozitar foli. Tha atë që Basha, Berisha dhe Kryemadhi me siguri nuk do të donin ta kishin parë dhe dëgjuar: sherri “Xhafaj” ka pak rëndësi për votuesin e djathtë. Pa folur më pas për indiferentët dhe kundërshtarët, të cilët ju drejtuan plazheve, ndërkohë që lideri demokrat ngrinte zërin në kupë të qiellit te këmbët e zyrës bosh të Edi Ramës.
Debati për aferën “Babale” kishte marrë prej javësh formën e tij më të ndezur, duke u kthyer në një kokëçarje për qeverinë. Sherre televizive pafund gjatë gjithë javës, akuza eksplozive nga njëra anë dhe tjetra, tendosje maksimale e të gjithë sistemit politik e mediatik të Tiranës. Dhe papritur Lulzim Basha pati idenë të na tregojë se çfarë mendojnë për këtë gjë, ata që janë në mes: njerëzit e thjeshtë. Në vend që ta linte të maisur sa më gjatë sherrin e Babales në vitrinën e medias dhe sallat e politikës, ai pati tundimin t’i japë kësaj historie të vetem përmasë që nuk e kishte: masivizimin. Duke e dëmtuar me dështimin publik, edhe vetë skandalin për të cilin qe investuar aq shumë.
Protesta e ditës së sotme dha një verdikt shumë të pakëndshëm për opozitën. Nga vërtetësia ose jo e zërit të Agron Xhafajt, ajo e shpërnguli debatin dhe vëmendjen tek shifrat anemike të pjesëmarrjes në bulevardin qëndror të Tiranës. Duke kërkuar të verë vetullat, opozita duket se nxorri politikisht sytë. Siç dihet, të protestosh në epokën e dronave është gjithnjë e më e vështirë. Sidomos tek Dëshmorët e Kombit, një hapësirë e stërzgjatur e hileqare, që kërkon qindra autobusë e mijëra protestues për t’u mbushur. Dhe të gjitha këto sot thjesht munguan. Syri i kamerave nga lart s’e pati aspak të vështirë të kapë boshin e frikshëm që rrethonte podiumin e zotit Basha, i cili me siguri e ka kuptuar gabimin sapo ka hedhur hapat e para në bulevard, pasi ka dalë nga selia e partisë së tij.
Sfida për sheshin ka qenë tradicionalisht sfidë për pushtetin në Shqipërinë e 30 vjetëve të fundit. Dhe opozita e humbi edhe një herë tjetër përballjen me indiferencën e shqiptarëve, por edhe me gabimet e saj taktike që e çojnë nga njëra protestë e gabuar tek tjetra. Sepse sot, në vend që të kishim një gjysëm-proteste, për opozitën do kishte qenë njëmijë herë më mirë të kishte dalë me konferencat e zakonshme të shtypit apo statuset kërcënuese në Facebook. Morali i fabulës është i thjeshtë dhe iu rikthye edhe një herë Lulzim Bashës si një bumerang i hidhur: një protestë e munguar është shumë më e mirë se një protestë e dështuar!