Ish-kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha prej rreth një jave ka dalë në terren, duke organizuar takime me ata që grupimi i tij ku përfshihet edhe deputeti Enkelejd Alibeaj i cilësojnë struktura të PD.
Pavarësisht entuziazmit të Bashës për t’i prishur punë Berishës, duket se kryetari i dorëhequr pas disa humbjeve radhazi në zgjedhje është kontestuar edhe nga ai rreth i ngushtë mbështetësish që ende ruan në bazën e PD-së.
Në një mbledhje me anëtarë të PD në qarqet e Jugut të vendit, që Basha e ka organizuar në Berat, ish-kryedemokrati është përballur me “shpërthimet” e atyre që deri pak kohë më parë dilnin në media si mbështetës dhe miq të afërt të tij.
Siç raportohet nga mediat, ish-kryebashkiaku i Mallakastrës Agron Kapllanaj ia ka përplasur në fytyrë Bashës faktin që e çoi PD drejt dështimeve me pasoja të rënda.
Kapllanaj gjithashtu i ka kërkuar Bashës që të mos rikthehet në krye të PD-së, pasi njeh vetëm disfata, ndërsa ka kërkuar sqarime edhe për arsyen pse ish-kryetari merr pjesë në këto takime me demokratët kur vetë është tërhequr.