Çmimi Nobel për Paqe do të jepet të premten në Norvegji, në kohën kur lufta më e madhe e Evropës në shtatë dekada po zhvillohet në kontinent.
Konflikti i vazhdueshëm i Rusisë në Ukrainë do të thotë se njoftimi i këtij viti për Nobelin për Paqe do të jetë ndër vendimet më të ndjekura dhe më të ndërlikuara, i marrë nga Komiteti Norvegjez i Nobelit në kohët e fundit, raporton CNN.
Dhënia e çmimit të paqes – një nga vlerësimet më të lakmuara të njerëzimit, shpesh shërben si një ofertë shprese në kohë të pasigurta. Por ekspertët në fushat e paqes dhe sigurisë paralajmërojnë se tabloja e zymtë gjeopolitike mund të ngatërrojë çmimin e vitit 2022.
“Ndonjëherë, është e vështirë të kuptosh se kush mund ta marrë çmimin, sepse ka kaq shumë kandidatë të mundshëm. Këtë vit, është e vështirë të kuptosh se kush mund ta marrë çmimin sepse ka kaq pak të mira që po ndodhin në botën e paqes dhe sigurisë”, ka thënë për CNN, Dan Smith, drejtor i Institutit Ndërkombëtar të Kërkimit të Paqes në Stokholm (SIPRI).
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, qëndron në krye të listës së baste-shkruesve për të fituar çmimin.
Alexey Navalny, kritiku i Kremlinit dhe lideri i opozitës, i cili u dënua me burgim për akuzat e mashtrimit nga një gjykatë në Moskë këtë vit, është në krye të parashikimeve të shumë ekspertëve.
Udhëheqësja e opozitës bjelloruse, Sviatlana Tsikhanouskaya, shihet gjithashtu si një pretendente e fortë. Disidentja u detyrua të mërgojë në Lituani pasi kandidoi kundër aleatit të Putinit, Aleksandër Lukashenko në zgjedhjet e gushtit të vitit 2020, të denoncuara nga bashkësia ndërkombëtare si as të lira dhe as të drejta.