Gazetari Frrok Çupi ka dorëzuar dje në SPAK (Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar), kallëzimin penal ndaj zotit Besnik Hoxha, gjyqtar i Rrethit Gjyqësor, Tiranë.
Mësohet se objekt i kallëzimit penal ndaj gjyqtarit Besnik Hoxha është fillimi i ndjekjes penale për veprën “Korrupsion pasiv i Gjyqtarëve, Prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të Drejtësisë”, dhe “Shpërdorim i detyrës’, të parashikuara në Kodin Penal, nenet 248 dhe 319.
Gjyqtari Besnik Hoxha, në datë 01.03.2022 ka shqyrtuar kërkesën që i përket akuzuesit Frrok Çupi ndaj Robert Rakipllari. Objekti i akuzës së zotit Çupi ishte që z. Rakipllari të deklarohej ‘fajtor për shpifje të kryer botërisht’ pasi në një studio televizive, e kishte akuzuar si ‘spiun i Sigurimit të Shtetit’. Gjykatësi Besnik Hoxha ka vendosur deklarimin ‘e pafajshëm të akuzuarit Robert Rakipllari për veprën penale të shpifjes’.
Frrok Çupi, i cili bëri padinë penale në kushtet kur ndjehej i fyer dhe i shpifur botërisht, ndërsa nuk ka pasur asnjë lidhje dhe nuk ka asnjë provë se ai ka qenë ‘bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit’, ka kundërshtuar në instancat ligjore vendimin e dhënë nga gjyqtari Besnik Hoxha. Njëkohësisht, Frrok Çupi ka konstatuar se vendimi i gjykatësit është korruptiv, i padrejtë, qëllimisht kundër tij dhe i pabazuar në asnjë provë e fakt.
Në kallëzimin penal të dorëzuar në SPAK, zoti Frrok Çupi nënvizon se gjykatësi Besnik Hoxha, duke shpallur të pafajshëm personin e akuzuar për shpifje të kryer botërisht, këtë e ka bërë qëllimisht për të hedhur baltë mbi dinjitetin e akuzuesit Frrok Çupi. Sipas këtij vendimi, përderisa personi i akuzuar se ka shpifur duke thënë ‘spiun i Sigurimit të shtetit’, automatikisht del që akuzuesi Frrok Çupi të jetë ‘Spiun i Sigurimit të Shtetit’. Nga akuzues, zoti Çupi, kthehet në të akuzuar, tashmë jo vetëm nga i akuzuari, por edhe nga gjyqtari Besnik Hoxha.