Këngëtarja me 200 këngë dhe 10 mijë koncerte, që i qëndroi besnike këngës shqiptare Fitnete Rexha ishte një artiste e madhe e muzikës popullore të Shqipërisë së Mesme, një artiste që me artistët e tjerë të brezit të saj shënuan historinë e AKVP (Ansamblit Shtetëror të Këngëve dhe Valleve Popullore) dhe veçanërisht të këngës popullore qytetare tiranase. Fitnete Rexha u lind në Tiranë më 3 prill 1933 në një familje atdhetare, ku kreu arsimin fillor e të mesëm.
Me këngën popullore tiranase e të Shqipërisë së Mesme, u lidh që kur ishte e vogël, që në moshën 7-8 vjeçare, tek këndonte nëpër dasma, apo edhe mjedise familjare. Fitnete Rexha , vdiq në Tiranë më 14 gusht 2003. Mban titullin “Artiste e Merituar”-1961.
Në rrjedhën e viteve
Fitnete Rexha mbetet një ndër këngëtaret më të shquara të muzikës popullore të Shqipërisë së mesme, kryesisht të muzikës popullore qytetare tiranase. Fitnetja bie në kontakt me traditën e muzikës popullore qytetare tiranase në familjen e saj. Vajza më e vogël e Bab Rexh Delisë “Hero i Popullit”, familja krutane e të cilit njihet për vlerat e traditës, kultivonte prej shumë brezash këngën popullore. Rreth moshës 15 vjeçare këndon dhe regjistron këngët e para popullore në Radio-Tirana nën shoqërinë e grupit orkestral të Shqipërisë së mesme të drejtuar nga Muharrem Gura dhe Skënder Reka.
Orkestrina përbëhej nga muzikantët Skënder Reka-fisarmonikë, Liu i Nushit dhe Çerçiz Mehmeti-violinë, Reshit Shehu-dajre, Mustafa Zyberi-klarinetë, Riza Selita-kontrabas, Emil Miloti dhe Fadili i Ansamblit të Ushtrisë në kitarë. Fillimisht fillon punë si këngëtare në Estradën e Tiranës dhe më pas aktiviteti i saj si këngëtare u zhvillua tërësisht pranë A.K.V.P-së (Ansamblit Shtetëror të Këngëve dhe Valleve Popullore) në Tiranë deri në daljen në pension në vitin 1981. Regjistrimet muzikore të saj gjenden kryesisht në dokumentacionet e Radio-Tiranës.
Vlerësimet
Akademik. Prof. Çesk Zadeja ka thënë se “Sa herë të dëgjohet kënga popullore e Shqipërisë së Mesme gjithmonë do të kujtohet këngëtarja Fitnete Rexha. Këngëtarja e njohur e muzikës popullore shqiptare, Zonja Rexha, është konsideruar dhe bilbili i këngës popullore të Shqipërisë së Mesme. Kompozitori dhe bashkëpunëtori i saj shumëvjeçar, z.Tish Daija ka thënë për BBC-në se “Fitnete Rexha ishte reformatore e muzikës së Shqipërisë së Mesme. Vlerësimi im për Fitnete Rexhën si këngëtare e këngës së Shqipërisë të Mesme është maksimal,”
Artdashësit e Tiranës dhe Shqipërisë e kujtojnë për koncertet e shumta dhe këngët e saj të bukura si: “Te selvitë e Namazgjasë”, “Qënke veshur me të bardha”, “M’u aty tek shtatë zymbylat”, “Dy të bukurat në nji derë” , “Ti moj delja, delja rude”, “Pse më rrin kaq vranu”, “Kënga e unazës”, “Jallah ç’është kjo jeta”, “Kënga e Rexhës”, “Qyqja e behari”, “Qan lulja për lulen”, “Kënga e Mine Pezës”, “Shoqet e t’ua moshatare”, “M’u aty te shtat zymbulat”, etj. Në 50 vjet me këngën në repertorin e saj ka rreth 200 këngë popullore të Shqipërisë së Mesme.
Jeta dhe veprimtaria e saj si këngëtare është e shkruar dhe në librin e Skënder Farkës “Flet Fitnete Rexha”.