Bashkëpunimi i fshehtë me Ilir Meta-Metajn, dosjet sekrete korruptive që thuhet lart e poshtë se i dha ish-Lëvizjes Socialiste për Integrim, afera e inceneratorëve, për të cilën akuzohet nga opozita se është përfshirë edhe vetë, bashkëpunimi me gylenistët që strehohen në Shqipëri dhe që cilësohen si armiqtë e Erdogan në Shqipëri, si dhe ndërhyrja arrogante në procesin e përzgjedhjes së drejtuesve të rinj të Partisë Socialiste në Qarkun e Vlorës, duket se kanë rezultuar fatale për karrierën politike të ish-zv/kryeministrit Arben Ahmetaj.
Ky i fundit nga maja e “Olimpit”, ku kryeministri Edi Rama e kishte ngjitur t’i bënte shoqëri gjatë këtyre 9 viteve qeverise të socialistëve, këtë të martë që lamë pas, ka marrë dje goditjen e fundit që me gjasë duhet t’i ketë dhembur shumë. Kryetari i socialistëve e largoi ish-krahun e tij të djathtë edhe nga drejtimi politik i Qarkut të Vlorës, pozicion që e mbante prej një viti, duke e zhveshur kështu nga çdo funksion ekzekutiv dhe politik që e kishte patur me bollëk.
Ahmetaj ka qenë një prej emrave më jetëgjatë të qeverisjes socialiste që nga marrja e pushtetit në 2013- n. Ministër Ekonomie, pastaj Financash, rikthim në kabinet si zv/kryeministër pas tërmetit të 2019. Ndërkohë që të njëjtat burime nga selia rozë, bëjnë me dije se Rama në disa mbledhje të zhvilluar së fundmi me vartësit e tij dhe zyrtarët më të lartë të PS, ka përdorur tone shumë të ashpra ndaj ish-numrit 2 të tij, duke e akuzuar për shitjen e dosjes së inceneratorëve tek opozita në këmbim në shumave të majme apo marrëveshjes që ai të mos vihej në bankën e të akuzuarve.
Por përpos të gjitha hamendësimeve se çfarë ka ndodhur me Arben Ahmetajn, ajo që duket është se “Tigri”, siç thirret ish-ministri në korridoret e politikës, është në rënie të lirë, rënie kjo që nuk dihet se ku ka fundin, pasi ka zërë se Rama e ka zhveshur atë nga postet me vetëdije, në mënyrë që nëse SPAK kërkon hetime për të në kuadër të aferë së inceneratorëve dhe jovetëm, ai të jetë pa imunitet dhe pre e lehtë për të shkuar në bangën e të akuzuarve.
Kikia komenton largimin e Ahmetajt
Por largimi i Ahmetaj nga posti i fundit që mbante, sikundër ishte ai i drejtuesit politik të Partisë Socialiste të Qarkut Vlorë, është komentuar edhe nga njerëz të medias, të cilët kanë hedhur në mejdan, disa nga arsyet se që kanë ndikuar në ftohjen e raportove të ish-zv/ kryeministrit me kryeministrin Edi Rama. “E largoi Rama sepse ia dha dosjen e inceneratorëve Metës dhe Kryemadhit;
E largoi, sepse ia bëri gati SPAK-ut që ta arrestojë si “ish”; E largoi sepse nuk i qasej njeri PS-së në Vlorë me këtë si sekretar i parë partie në qark… Mund të këtë shumë arsye të tjera se përse ministri më i fuqishëm i qeverisë Rama 1, 2, 3 nuk mban më asnjë post adminisRtrativ dhe partiak. Por ajo që ka rendësi, është se Ahmetaj nuk ka se çfarë t’i bëjë me këtij vendi dhe këtij populli.
Ai bëri gjithçka mundi të bënte. Tani jo në SPAK, por edhe NASA ta marrë ta përplasë me ndonje asteroid për t’i ndryshuar drejtimin, nuk përbën e asnjë lloj rëndësie për ne”, shkroi këtë të mërkurë në rrjetet sociale, gazetari i njohur, Mentor Kika. Pra, shtohen zërat për arrestimin e Arben Ahmetajt. Ndërkohë analisti Lutfi Dervishi deklaroi dy ditë më parë në politikë prevalojnë interesat dhe duket se këto të fundit nuk përputhen më mes Ramës dhe Arben Ahmetaj. /RIGELS SELIMAN