utoriteti i Dosjeve ka paralajmëruar publikimin e dosjeve për politikanët e lidhur me Sigurimin e Shtetit.
I pari që rrezikohet është ish-presidenti Ilir Meta. AIDSSH pretendon se ish-presidenti ka qenë bashkëpunëtor i Sigurimit, ndërkohë që Meta e ka mohuar dhe ka bërë dhe një padi penale. Ndërkohë vetë kreu i Partisë së Lirisë ka refuzuar ta kërkojë dosjen, duke bërë që ajo të qëndrojë e fshehtë. Por me ndryshimet e reja ligjore, duket se të dhënat do jenë publike.
Aktualisht ligji ka një klauzolë, e cila ndalon verifikimin e personave që kanë qenë subjekte të komisioneve “Bezhani” e “Mezhini”. Meta është verifikuar prej tyre dhe kjo e shpëtoi. Mirëpo Komisioni i Ligjeve ka nisur diskutimet për ta hequr këtë pikë dhe mbi këto diskutime ka reaguar Autoriteti i Dosjeve, i cili ka dhënë detaje.
“Në dritën e diskutimeve të datës 21 shtator 2022, ndërmjet Autoritetit dhe Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, në Kuvendin e Shqipërisë, lidhur me propozimet e paraqitura, u dakordësua kryesisht mbi:
𝐇𝐞𝐪𝐣𝐞𝐧 𝐞 ‘𝐦𝐛𝐮𝐫𝐨𝐣𝐞̈𝐬’ 𝐩𝐞̈𝐫 𝐟𝐢𝐠𝐮𝐫𝐚𝐭 𝐞 𝐥𝐚𝐫𝐭𝐚 𝐩𝐮𝐛𝐥𝐢𝐤𝐞 përmes shfuqizimit të plotë të pikës 4 në nenin 29, të ligjit nr. 45/2015, i cili thotë se Autoriteti nuk administron kërkesat për informacion për zyrtarët që propozohen të emërohen ose ngrihen në detyrë në institucionet kushtetuese dhe autoritetet publike, kur Autoriteti administron apo i është vënë në dispozicion dokumenti autentik origjinal i certifikatës së pastërtisë së figurës, shoqëruar me vendimin përkatës nga institucionet përgjegjëse, si Komisionet Mezini dhe Bezhani”, shprehet AIDSSH.
Sipas Autoritetit, zbatimi i dispozitës në disa praktika të punës ka vënë në vështirësi institucionin. Sipas deklaratës, për shkak të kësaj klauzole AIDSSH, ka pasur raste që ka dalë me dy qëndrim të ndryshme.
“Autoriteti disa raste ka dalë me dy vendimmarrje të ndryshme, për të njëjtin subjekt ku në një procedurë Autoriteti është vënë në lëvizje me kërkesë të paraqitur nga institucione kushtetuese apo autoritete publike dhe Vendimmarrja ka rezultuar që subjekti zotëron certifikatën e pastërtisë së figurës së tij dhe në procedurë tjetër ku Autoriteti është vënë në lëvizje me kërkesë të paraqitur nga persona të prekur nga aktiviteti i strukturave të ish-Sigurimit të Shtetit dhe vendimi tjetër që po i njëjti subjekt rezulton si anëtar i ish Sigurimit, hetues, gjyqtar apo prokuror, si dhe bashkëpunëtor i ish sigurimit te shtetit”, thuhet në dokument.
Në fund bëhet e ditur se sapo të miratohen ndryshimet ligjore dhe të zhbëhet pika në fjalë, Autoriteti do të publikojë në faqen zyrtare të dhënat për të gjithë funksionarët që figurojnë me dosje.
“Me ndryshimin e propozuar Autoriteti do të jetë i pavarur, i besueshëm për shoqërinë shqiptare dhe faktorin ndërkombëtar, si dhe do të kryejë punën e tij në mënyrën më transparente të mundshme, si dhe do të jetë i lirë nga çdo insinuatë që kërkimi dhe rezultati arkivor nuk është bërë në mënyrën e duhur. Në këtë kuadër, të gjitha vendimet për këtë kategori funksionarësh të lartë do të publikohen të plota në faqen zyrtare të Autoritetit”, thuhet aty.
Kjo klauzolë godet të parin Ilir Metën, i cili thuhet se ka qenë bashkëpunëtor i Sigurimit. Por do godasë dhe emra të tjerë, pasi AIDSSH ka thënë se janë dhe 5-6 emra të tjerë publikë që figurojnë me dosje. /Pamfleti