Serafin Fanko, “Artist i Popullit”, ndërroi jetë më 29 shtator 2007 në Tiranë, në moshën 70-vjeçare. Si një njeri me dimensione sociale dhe humane tepër të kristalizuara, si një njohës shumë i mirë i dramës shqipe, Fanko mbetet si model i regjisë në dramat, “Hetimi” në fund të viteve ’80-të, “Gjenerali i Ushtrisë së vdekur”, një dramatizim i tij, “Makbethi”, “Gjaku i Arbërit”, “Baca i Gjetajve”, “Ç’murrosja”, “Quo Vadis”, “Këshilli i Ndrikullave”, “Rozafa”, “Pse”, “Çifti i Lumtur”, një pjesë e mrekullueshme e realizuar me art nga aktorët e mirënjohur Tinka Kurti dhe Ndrek Luca. Adonis Filipi, regjisor, është shprehur se, “Fanko ishte një regjisor me vokacion dhe regjisor tipik i frymës poetike”.
Serafin Fanko, ishte i integruar prej vitesh në një hapësirë të gjerë mbarëkombëtare me veprën e tij shumëdimensionale. I dalluar për një modesti të skajshme, Serafin Fanko është shprehur disa herë se suksesi i tij qëndronte në bashkëpunimin e qëndrueshëm të tij me njerëz të skenës dhe të artit.
Ai e shprehte pa hezitim se ka punuar me mjeshtra të mëdhenj të dramaturgjisë dhe në Teatrin “Migjeni” është mbështetur në aktorë të njohur si Tinka Kurti dhe Ndrek Prela, Prel Lëkunda, Adem Kastrati, Bep Shiroka, apo në bashkëpunimit me artistë, dramaturgë, regjisorë dhe piktorë, si Fadil Kraja dhe Agim Zajmi.
Me ndarjen e tij nga jeta, aktrimi dramaturgjia dhe regjia shqiptare, humbën një intelektual të devotshëm, një njeri të rrallë, një patriot koherent dhe mbi të gjitha një njeri të formuar dhe tërësisht të kompletuar, që diti të përvetësojë dhe të vejë në skenë të gjitha gjinitë e realizimit skenik të një drame apo komedia.
Figura të tilla komplekse janë të rralla, sepse vizioni jetësor i tyre i shtyn drejt kërkesave të mëdha që mund ti çojnë në fund njerëz me ideale të mëdha dhe të “fortifikuar” intelektualisht, ku bërthama e vërtetë e njerëzve të tillë mund të shërbejë si diamant udhërrëfyes për brezat e rinj të artit. Një shëmbëlltyrë e tillë mbetet i thjeshti, i dituri, punë madhi dhe fjalëpaku Serafin Fanko.