Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta duket se i ka dërguar dje një mesazh të qartë ish-kryeministrit Sali Berisha që në zgjedhjet lokale të vitit të ardhshëm të dalin me kandidatë të përbashkët, pasi nuk janë në kushtet që të jenë të ndarë.
Gjatë një prononcimi për mediat, Meta theksoi se fitorja është e rëndësishme dhe këtë mund ta arrijmë me një kandidat të përbashkët.
“Për zgjedhjet vendore kemi nisur përgatitjet dhe së shpejti do të mblidhemi për zgjedhjet që afrojnë. Është moment historik se Shqipëria do të ndahet nga një model një partiak. Çdo forcë politike ka ambiciet e saj për nivel të çdo bashkie dhe në këtë drejtim, kemi qenë dhe jemi të hapur të bashkëpunojmë me PD dhe të gjithë të tjerët. Në mënyrë të padiskutueshme, për ne interesi kryesor është fitorja e opozitës, vendosja e demokracisë vendore.
Kryetarët e bashkive dhe këshilltarët bashkiakë u kthyen në bunker të vërtetë. Shihni pagat nëpër bashki. Ka shumë më të punësuar në rilindje sesa ka pasur në 400 e ca bashki e komuna. Është psikologji e tyre thjesht për efekte elektoralë. Opozita duhet të dalë në të gjithë Shqipërinë me kandidatë të përbashkët”, tha Meta. Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta u shpreh se Shqipëria ka nevojë ulëritëse për protesta dhe greva.
Për këtë i referohet institucioneve arsimore turke që janë mbyllur me vendim qeverie për shkelje ligjore. Sa i përket paralajmërimit të PD për protesta dhe greva, Meta nuk dha një përgjigje konkrete se do të jenë pranë Sali Berishës. “Lidhur me protestat, kemi thënë që vendi ka nevojë ulëritëse kudo dhe në çdo nivel që ka shkelje të ligjit, korrupsion, vjedhje, skena krimi e grabitje.
Ju e keni parë që edhe për meritë të vendimeve të papërgjegjshme të qeverisë, çdo ditë ka protesta e greva të fëmijëve, nxënësve, parashkollorëve, prindërve, gjimnazistëve. Besoj jeni njohur me vendimet absurde që nuk kanë lidhje me shtetin ligjor, me sigurinë juridike ndaj fëmijëve, nxënësve, prindërve siç janë aktet e fundit të qeverisë. Pasi ka filluar shkolla e kopshti, në mënyrë arbitrare gjenden sebepe që s’kanë lidhje me ligjin”, nënvizoi Meta.