Nga vegimet e “neofashizmit”, në realitetin e ngjeshur të kulturave në Itali, në zgjedhjet e fundit elektorale triumfoi partia “Fratelli d’Italia”, e udhëhequr nga Giorgia Meloni, një euroskeptike, e cila pritet të bëhet kryeministre e qeverisë së koalicionit të djathtë.
Janë orë të zjarrta për Italinë e përfshirë, dashur padashur, në një fat kolektiv, por konsiderohen orë delikate dhe për Bashkimin Evropian. Italia më në fund iu kthye “idealit të vëllazërimit”, një abstraksion luksoz, që e sjell këtë vend në udhëkryqin më imagjinar të historisë, përballë dy traditive të papajtueshme etnokulturore, me prirjen e hapur për të vlerësuar atdheun më shumë se sa Evropën.
Analistët thonë se gjatë fushatës elektorale 45 vjeçarja Meloni, me një gjallëri çapkëne dhe të potershme, ka këmbëngulur në politika anti-migratore, me sloganin populist “Së pari Italia dhe italianët!” Përse? Për t’i kthyer legjitimitetin konceptit të racës? Fjala “race” është sakrilegj në ditët e sotme.
Është një slogan “in extremis” për identitetin italian. Kësisoj fryma e projektit Meloni është volontariste dhe diferencialiste, pas së cilës fshihen dispozitiva juridikë që kanë për qëllim të mbramë spastrimin e bashkësisë italiane, duke i vënë ledh depërtimit të të huajve. Italia nuk mund të reduktohet në të qënit italianë. Pse ky mosbesim ndaj të huajve, të cilët janë shkrirë me kulturën italiane?
Kjo do të ishte një arrogancë nacionaliste, që do ta ngujonte kombin italian në gjeninë e tij të përveçme, dhe që nuk do të sillte asnjë lloj krenarie për Italinë dhe për demokracinë italiane. Megjithatë paragjykimi më i mirë në kohën e vet. Italianët që e votuan kanë patur patjetër një arsye kombëtare që e bënë këtë gjest. Nuk mund të themi një arsye demokratike. Tokëvili mendon se demokracia nuk është diçka që shërben për të maskuar luftën e klasave por, përkundrazi, shënon shndërrimin e madh antropologjik të shoqërive moderne.
Vërej se e ashtuquajtura e djathta shqiptare, pa koordinata dhe pa pika orientimi, është në ekstazë pas fitores se Melonit. Përse? Ku e gjejnë frymëzimin? Nuk mund të ndash arsyen nga historia. E djathta jonë pikësëpari duhet të na japë arsye për ta quajtur “të djathtë” dhe pastaj argumentat për ta votuar.
Të na sqarojë pse nuk parapëlqeu teorinë etnike të kombit, forcimin e ndërgjegjes kombëtare, të pronës dhe familjes, pse nuk arriti të krijonte shtet ligjor gjatë gjithë qeverisjes së saj dhe pati si prirje parësore zhdukjen e individualitetit të qytetarëve, plagë që vazhdon edhe sot nw qeverisjen e ashtuquajtur “të majtë”. /NGA AV. EDUART MULLARAJ