“Foltorja” është drejt kolapsit dhe i ka ditët e numëruara. Lëvizja antiamerikane e Sali Berishës, vendosmëria për të pushtuar Partinë Demokratike pa folur ende gjykata dhe ndarja e posteve pa meritë, duket se kanë ndezur sherret brenda demokratëve.
Deputetë kanë nisur të refuzojnë hapur linjën e Berishës, çka ka sjellë edhe rrudhjen e grupit të mbështetësve të “non gratës”, i cili nuk është më si më parë dhe është katandisur në 4-5 ligjvënës. Nga ana tjetër, gazeta “Sot” ka raportuar së fundmi se po përgatitet një rikthim i bujshëm i Lulzim Bashës në krye të PD. Prej dhënies së dorëheqjes më 21 Mars nga posti i kreut të Partisë Demokratike, Lulzim Basha nuk është shfaqur më publikisht në media, por herë pas here ka zhvilluar takime të me demokratët duke lënë dyshime se ai e mendon sërish rikthimin në krye të partisë.
Sinjalet nga Basha
Sinjali i fundit nga Lulzim Basha se po përgatit një rikthim të fuqishëm ishte në takimin e tij të fundit me gratë demokrate, të cilat kanë qenë të pranishme në selinë e Partisë Demokratike, kur u sulmua më 8 janar nga Sali Berisha. Takimi është ndarë nga një prej anëtarëve të PD-së, e cila shkroi se biseduan për nevojën që ka PD për t’u shkëputur nga e shkuara dhe për të rikthyer në krye të partisë Lulzim Bashën.
“Takimi u karakterizua nga bashkëbisedim i sinqertë, ku spikati dëshira për të lënë të shkuarën në skajin më të erret të historisë së PDSH dhe shikimin nga e ardhmja duke përkrahur rikthimin e kryetarit Lulzim Basha”, ishin fjalët e saj.
Mbështetja në bazë
Sipas informacioneve të sigurta të gazetës “Sot”, përveç 25 deputetëve që e mbështesin nga 52 që ka Partia Demokratike, mësohet se 80% e krerëve të degëve, të cilët njëzëri, mbështesin rikthimin e tij në krye të PD. Mësohet se ditët e fundit zoti Basha, ka pasur takime intensive në Tiranë dhe në rrethe, ku qëllimi kryesor është riorganizimi dhe hedhja e piketave të axhendës politike që do të ndërmarrin gjatë ditëve në vijim. Shumica e krerëve të degëve të Partisë Demokratike vijon të jenë në detyrë dhe ata mbështesin Bashën, ndërsa pritet që ky aksion të forcohet edhe më shumë, pasi gjykata të vendosë për fatin e PD, ku zërat thonë se ajo do të anulojë vendimin e gjyqtarit Agron Zhukri, i cili i fali Berishës dhe “Foltores”, Partinë Demokratike.
Trembet Sali Berisha
Nga ana tjetër, Sali Berisha është trembur nga një rikthim i mundshëm i Lulzim Bashës në krye të PD. Kjo u pa dhe në sulmin e fundit që “Foltorja” në sinkron u vërsul kundër tij. Qëndrimi i Berishës ishte me dy standarde, pasi vite më parë i quajti akuzat se financimet ruse për PD ishin sajesa nga kryeministri Rama, ndërsa tani kërkoi që të nisnin hetimet për Lulzim Bashën. Pra, Berisha po përdor çdo rast të mundshëm pasi ndihet i rrezikuar nga vendimi i Apelit, i cili e heq nga Partia Demokratike. Një vendim kundër tij nga Apeli që i heq administrimin e selisë blu, do të sillte fundin e tij politik dhe “mburojën” e tij kundër drejtësisë dhe amerikanëve.
Nëse drejtësia i heq nga duart PD, Berisha i humb të gjitha. Ai nuk e ka dashur kurrë PD si politikan i ndershëm, që ta vejë kauzën e saj në dobi të vendit e demokracisë, as si pushtetar e as si opozitar, por e ka përdorur atë si mburojë për interesat e tij dhe demokratët e thjeshtë si mish për top. Në situatën dhe pozitat që ndodhet ai, ku gjysma e Evropës dhe SHBA i ka mbyllur dyert, ky vendim do te vuloste fundin e tij. Pasi, sot që flasim “Foltoren” nuk e njeh asnjë institucion. /NGA ELMAS BOGDANI