Gazeta “SOT” gjatë kësaj kohe ka treguar dhe pasqyruar episode si amerikanët janë të vendosur për të çrrënjosur korrupsionin në Shqipëri dhe në të gjithë Ballkanin Perëndimor, ndërkohë që “gjuetia” ka filluar dje sërish ndaj zyrtarëve të lartë. Departamenti amerikan i Thesarit i ka vënë sanksione Prokurores së Shtetit në Bosnje-Hercegovinë, Diana Kajmakoviç.
“Diana Kajmakoviç është duke cenuar vazhdimisht demokracinë dhe sundimin e ligjit në Bosnje-Hercegovinë”, ka thënë Brian Nelson, nënsekretar për Kundërterrorizëm dhe Inteligjencë Financiare në Departamentin amerikan të Thesarit.
Sipas tij, këto masa konfirmojnë përkushtimin e Shteteve të Bashkuara për stabilitet në Bosnje-Hercegovinë, sepse ato janë vendosur ndaj një personi që ka rëndësi kyçe në lejimin e korrupsionit në këtë shtet. “Masat janë vazhdimësi e zbatimit të strategjisë së SHBAsë për të mbajtur përgjegjës individët që kryejnë aktivitete destabilizuese në Ballkanin Perëndimor.
Këto masa janë marrë në kohën kur Bosnja po përballet me krizën më serioze politike prej vitit 1995, pasi politikanët, ento-nacionalistët dhe rrjete e tyre, vazhdojnë të dëmtojnë shtetin”, është thënë në deklaratën e Zyrës për Kontrollin e Asteve të Huaja. Ambasada amerikane në Bosnje Hercegovinë, ka thënë se ka ardhur koha që “Bosnja të pastrojë shtëpinë e vet”.
Pra SHBA disponon lista të tjera me “non grata” për zyrtarë të lartë të korruptuar që duan të destabilizojnë Ballkanin. Sanksionet gjithashtu përfshijnë dhe sekuestrimin e pasurive në SHBA. Në rastin më ekstrem, nëse cenohet siguria e SHBA, priten edhe ekstradime nga amerikanët. Vëmendja e tyre u shtua në Ballkan për shkak të luftës në Ukrainë.