“Shqipëria është në rrezik nga Edi Rama”. Kjo frazë ishte kryefjalë e ish-kryeministrit Sali Berisha në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike gjysma gjel që u zhvillua këtë të hënë.
Mes të tjerash ai u ndal te çështja e detit me Greqinë. Berisha tha se marrëveshja e 2009 nuk ishte e përsosur, por tani Rama po shet detin, ndërkohë që dy palët do t’i drejtohen Hagës. Sipas tij në gjykatë po shkohet për të përcaktuar 12 milje për palën tjetër.
“Edi Rama e shiti detin. Kishte vetëm një shpresë aty që ishte një proces në marrëveshje e sipër dhe ti po ndryshon rregullta e lojës. Edi Rama e pranoi këtë dhe tha nuk ka marrëveshje. pra tha nuk po shkohet në gjykatë për marrëveshjen e vitit 2009. Po shkohet për të përcaktuar linjën detare me 12 milje pala tjetër, dhuratë plotësisht e Edi Ramës për shkak të largimit të tij nga gjykimi i marrëveshjes së vitit 2009. Ajo marrëveshje po shkonte në gjykatë. Dhe ky zotëri ka bërë çdo hap tani në kundërshtim me vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Për të nuk ekziston gjykatë. Sillet sikur ta ketë Shqipërinë çiflig të vetin.
Në marrëveshjen e 2009 të gjitha zonat e gazit dhe naftës binin në territorin e Shqipërisë. Në marrëveshjen që do të firmoset me 12 milje ato kalojnë në republikën helvetike. Ky është aspekti i Ramës me interesin kombëtar”, pohoi Berisha.
Ai e quajti tradhtar kundërshtarin e tij politik në Kryeministri dhe theksoi se shqiptarët nuk duhet ta tolerojnë. “Nuk ka botë që toleron një tradhtar si ky”, deklaroi Berisha.
Më tej Berisha u ndal tek sulmi kibernetik i Iranit ndaj qeverisë shqiptare. Ai kujtoi duke cituar burime se në këtë sulm janë përfshirë edhe hakerë nga Serbia dhe Rusia, por Rama e fsheh para qytetarëve shqiptarë.
“Qëndrimi i tij tjetër është më cinik, më shkatërrimtar, i vjedhjes dhe mashtrimit të përditshëm. E patë se si u tret si bryma para diellit shteti dixhital i Shqipërisë dhe ky vetëm mashtron. Jam i bindur që iranianët ndërhynë, por brime shumë të sigurta të parterëve tanë na thonë se në ndërhyrjet ndaj Shqipërisë janë grupe serbe dhe ruse. Këto ai nuk i thotë dot, ua fsheh shqiptarëve. Nuk i shkojnë me skemën e vasalitetit të tij ndaj Vuçiçit. Vendi shkon drejt një përkeqësimi të pandalshëm”, deklaroi Berisha.