Ngjarja e vjedhjes së Prokurorisë së Durrësit, është një nga ato raste që jo vetëm tregon dobësinë e shtetit, por rrit shumë teoritë konspirative në ambientin mediatik dhe politik.
Marrja e dosjeve në zyrën e prokurorit Afrim Shehu hodhi aludime se mund të jenë marrë dosje tejet të rëndësishme, edhe pse në fakt ai po heton vetëm korrupsion dhe abuzim me detyrën.
Siç bëhet me dije nga burime nga Prokuroria, janë vjedhur materialet hetimore për tjetërsimin e pronës në Ishëm, ku janë të përfshirë disa ish-zyrtarë lokalë.
Por mediat pranë opozitës, që financohen nga familja Berisha hodhën idenë se është vjedhur dosja e 613 kg kokainë të Maminasit.
Menjëherë pas këtij lajmi Shkëlzen Berisha, reagoi si rrallëherë, duke kërkuar një “palë brekë”.
Ai ironizoi batutën e Dritan Hilës se “Xhafaj pasi dorëzoi të vëllain, nuk do të tolerojë askënd”.
Ditën e sotme edhe Sali Berisha me qytetarin dixhital të tij, njoftoi se në Durrës është vjedhur dosja e kokainës dhe përgjimet ndaj Vangjush Dakos.
Në fakt dosja e kokainës së Maminasit, ndodhet te Krimet e Rënda dhe sipas mazhorancës janë të përfshirë njerëz në kupolën drejtuese të PD, duke nënkuptuar se mund të lidhet drejtpërdrejtë me djalin e Sali Berishës.
“Mos është ky informacion, arsyeja e ngutit të familjes Berisha që atë dosje ta shpallin të zhdukur”, pyet gazeta Dita?
Kryeministri Edi Rama dhe deputetë të mazhorancës kanë deklaruar disa herë, se droga e Maminasit ka lidhje me PD-në.
PD-në, jo Sali Berishën dhe të birin.
Pra, nuk kanë përmendur asnjë emër.
Por Sali Berisha, në një dalje për mediat pak ditë më parë, pa ia kërkuar asnjeri, ka thënë se ai nuk ka asnjë lidhje me Arbër Çekajn (Kuliçin), pronarin e kontenierëve me banana ku u gjet kokaina.
Madje Berisha u kujdes të tregonte edhe një “histori”.
Ai tha se ka qenë në hasmëri me familjen e tij, pasi babai i Çekajt paska qenë drejtues i Partisë Komuniste në Tropojë.
Ky në fakt ishte shumë herë më i lartë në atë regjim, pasi ishte sekretar dhe kishte miqësi me vetë fëmijët e Enver Hoxhës, me të cilët shkonte për fundjave në Pogradec.
Berishën me sa duket e kanë djegur akuzat e mazhorancës, që në fakt nuk e kanë përmendur me emër, dhe iu është përgjigjur akuzave, me sa duket për t’i bërë parapritë ndonjë zhvillimi të mundshëm të mëvonshëm.