Hetimet ndaj tjetërsimit të ish-kompleksit “Partizani”, duket se e kanë trembur ish-kryeministrin Sali Berisha. Në një konferencë për shtyp është pyetur nga gazetarët në lidhje me hetimet e SPAK për privatizimin e ish-kompleksit sportiv Partizani, Berisha tha se Prokurorinë e Posaçme Antikorrupsion, duhet që të shqyrtojë të gjitha vendimet e marra nga ai që nga 1991 deri më sot.
Berisha u pyet edhe në lidhje me hetimet për privatizimin e ish-kompleksit Partizani, gjatë kohës kur ai ishte kryeministër. Duke e cilësuar organin e prokurorisë si organizatë të PS-së, Berisha, u shpreh se prokuroria duhet të marrë në hetim Taulant Ballën, për padi të rreme.
Sipas Berishës ai ka firmosur duke pasur ligjet para.“E ftoj SKAP-in e partisë që të shqyrtojë çdo vendim të Sali Berishës nga viti 1991 deri gjer më sot. Ju garantoj se në çdo vendim do gjejnë vetëm ligjin. Ata që pretendojnë se SKAP-it po i bëhet presion nga të dyja anët, SKAP-it nuk po i bëhet asnjë presion nga PD. Përkundrazi, PD ka kontribuar shumë me dokumente, fakte, dhe do i paraqesë publikisht. SKAP-i është shndërruar dhe është krijuar si një organizatë, repart i PS-së.
I thonë se ky dekret dëshmon se trojet e rikthyera disa familjeve tiranase janë shpronësuar me këtë dekret. Çfarë tregon dekreti? Ka emrat e shtatë familjeve, asnjëra nuk i përket kompleksit të klubit Partizani. Çdo prokurori serioze në botë, merr vetëm një vendim: hap çështje penale ndaj atij që bën padi të rreme. Këtë e parashikon Kodi Penal dhe Procedura Penale e çdo vendi. SKAP-i i partisë, në vend që të marrë në hetim, Taulant Sharrën, SKAP-i bën sikur nuk disponon këtë falsitet madhor. Ky nuk është presion, ky është një turp. Sa herë të më thërrasin, unë nuk njoh asnjë formë parashkrimi..Unë nuk kam firmosur fap e fap, unë kam firmosur duke pasur ligjet dhe Kushtetutën përpara”, u shpreh Berisha.
Berisha bën thirrje për dhunë dhe kaos
Ish-kryeministri Sali Berisha ka bërë thirrje për dhunë dhe kaos. Ai është pyetur në konferencën e sotme për mediat, lidhur me protestat e paralajmëruara nga opozita për këtë vjeshtë. Ai tha se do të organizohen protesta masive. “Sali Berisha dhe PD do bëjë gjithçka që kjo vjeshtë të jetë vjeshtë grevash, protestash, revoltash paqësore, mosbindje civile. Ky është kushti më themelor për të kthyer vendin në normalitet.
PD është e gatshme. Pakënaqësia dhe revolta është shumë e lartë. Pritshmëria e tyre është shumë e madhe”, tha Berisha. Në konferencën e zakonshme për mediat, Sali Berisha, bëri thirrje që komisioni auditit, i ngritur po nga Rithemelimi, të fillojë shpejt punën dhe të bëjë transparencë për akuzat se PD është financuar nga Rusia në 2017. Berisha akuzoi drejtpërdrejt si përgjegjës Lulzim Bashën dhe se do të bëjnë të pamundurën për atë që hetim që mund të bëjnë.“Ajo që kam unë, dëshmi dhe dokument, nga hetimi i prokurorisë dhe dëshmitë që kanë dhënë Arben Ristani dhe Ilir Dervishi, del se asnjë qindarkë nuk ka hyrë dhe ka dalë në arkën e PD.
Në këtë kontekst, unë e quaj veprim të papërgjegjshëm personal të Lulzim Bashës”, u shpreh Berisha. Ai u ndal tek sulmet kibernetike, për të cilat tha se sipas disa burimeve shumë serioze nga nuk janë kryer vetëm nga Irani. Pa dhënë shumë detaje për burimet e tij serioze, Sali Berisha tha se sulmi ka ardhur edhe nga hakerat rusë, serbë por edhe nga vetë qeveria. Shumë e sigurt tha Berisha, është sipas tij edhe fakti se sulmet kibernetike në Kosovë janë bërë nga sistemet e Shqipërisë.
“Në një akt të paprecedent, të revanshit të krimit në këtë vend dhe këtë shtet, qeveria ka shkatërruar të gjitha sistemet e policisë. TIMS-in, databazën e policisë shkencore, e cila përmban çdo gjë rreth kriminelëve dhe grupeve kriminale, ka shkatërruar MEMEX-in dhe faktikisht kemi të bëjmë me një asgjësim total të punës afro 30-vjeçare të Policisë së Shtetit shqiptar. Shkatërrimi i këtyre sistemeve nuk ka asnjë lidhje me sulmet e e-Albania”, tha ai. /Sidorela Braçja