Pak orë pas publikimit të lajmit se Donald Lu është emëruar ambasador në Kirgistan, zyra e shtypit të Lulzim Basha shpërndau një deklaratë.
Në të jepej “lajmi” se dhe Romana Vlahutin do të largohej.
Në vend të saj, sipas deklaratës së shpërndarë nga PD, do të emërohet italiani Luigi Soreca.
PD ka shpërndarë edhe një jetëshkrim të tij, ku theksohet ndër të tjera se ai është mik i shqiptarëve, pasi ka punuar me Shqipërinë, kur ministër i Brendshëm ka qenë… Lulzim Basha.
“Luigi Soreca në cilësinë e kreut të Departamentit për Marrëdhëniet me Jashtë dhe Zgjerimin pranë Komisionit Evropian, ka punuar ngushtë me qeverinë “Berisha” e konkretisht me Lulzim Bashën kur ky i fundit ishte ministër i Brendshëm për çështjen e liberalizimit të vizave.
Më tej, bashkëpunimi i tij me këtë ministri ka vijuar në implementimin e një sërë marrëveshjesh në procesin e monitorimit të situatës pas liberalizimit të vizave për vendet e rajonit.
Së fundmi, Soreca ka marrë pjesë në Shqipëri në një konference të organizuar nga BE-ja për luftën kundër ekstremizmit”,theksohet në mesazhin e shpërndarë nga PD “klandestinçe”, për portalet pranë saj.
Me këtë, PD do të thotë se ambasadori i ri i BE-së do të jetë miqësor me Lulzim Bashën.
Kujtojnë se me largimin e Romana Vlahutin, nuk do të ketë më presion për zbatimin e reformës në drejtësi.
A thua kjo ishte një kërkesë personale e Vlahutin, jo e Bashkimit Europian.
Por fundja kështu shpërndanë të njëjtin lajm edhe para largimit të Aleksandër Arvizu.
Atëhere gazeta MAPO e sapo dalë në treg dhe që ishte shumë pranë Berishës, paralajmëronte se ambasadori i ri amerikan që do të vinte në Shqipëri, do të kishte një tjetër qendrim nga paraardhësi i tij.
Numri i parë i kësaj gazette hapej pikërisht me Donald Lu-në, si ambasadori që do të ishte shumë më dashamirës me Berishën dhe PD-në, ndryshe nga Arvizu.
Por kaluan vetëm pak muaj, dhe Donald Lu ua ngriu buzëqeshjen në fytyrë, duke u bërë një nga ambasadorët më të urryer amerikanë nga ana e PD-së, për shkak të misionit të tij, për miratimin dhe zbatimin e reformës në drejtësi.
E njëjta gjë që po ndodh dhe tani.
Vetëm se harrojnë se politikat e SHBA-së dhe BE-së nuk varen nga emrat dhe nuk janë personale.(TemA)