Analisti Aleksandër Çipa, çështjen e lobimit të Partisë Demokratike me paratë ruse, ku Sali Berisha ka ngarkuar me përgjegjësi personale Lulzim Bashën dhe ka kërkuar rihapje të çështjes, e sheh si një nga çështjet më të errëta të sjelljes politike dhe ndotjes politike në Shqipëri.
Për studion e lajmeve të MCN TV, Çipa deklaroi se ky është moment delikat për partneritetin me SHBA.
“Klasa politike, duhet të ndahet nga kjo aferë e cila tashmë është e pamohueshme dhe e pazbardhur tërësisht. Implikimet në këtë aferë, duhet të zbardhen dhe ndriçohen.
Organet e drejtësisë duhet të jenë të pandikuara, nëse do mund të realizohet kjo gjë, Shqipëria do të gëzojë një normë të re të parntetiteti me faktorin ndërkombëtar dhe perëndimin.
Basha ka cilësinë e protagonistit kryesor, kam përshtypjen se ky subjekt do vazhdojë dhe në ditët e ardhshme dhe mos me hir me pahir do ketë diçka çfarë të thotë lidhur me aferën.
Afera e cila siç është pohuur tashmë nga mediat ndërkombëtare, është pjesë e një investimi që Rusia zyrtare ka bërë dhe po bën për zhvillimin politik.
Shqiptarët duhet të distancohen në mënyrë të prerë të mundshme nga interesat ruse në Ballkan.”
Takimet e javës së fundit të ambasadores amerikane Yuri Kim, i cilëson si takime të intensifikuara me përfaqësues të niveleve të larta politike, që sipas tij, ka të bëjë për aferën e publikuar që ka interes SHBA.
“Mendoj se do kemi zhvillime lidhur me këtë aferë. Se faktet do të publikohen, jo vetëm prej nesh, por edhe nga faktori amerikan.
Do të kemi zhvillime të reja, që kanë të bëjnë me zbardhjen e përgjegjësisë dhe përfshirjen e personave në këtë aferë të rëndë financiare, që ka në fokus korrupsionin partiak në Shqipëri.”
Ndërsa vizitën e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj në SHBA, Çipa e sheh më shumë si diplomaci personale dhe politike prej tij.
“Një vizitë të tillë mund ta kemi këto ditë edhe të Kryeministri në SHBA. Bëhet përpjekje për ndikime personale në shtetet më të rëndësishme.
Takime të tilla dhe përfshirje të axhendave të tilla, i shërbejnë vendit për fuqizimin e partneritetit institucional. Nuk mendoj se ekziston mundësia për ofrimin e një imuniteti apo qoftë edhe një mbështetje.
Në marrëdhënie me sistemin e drejtësisë nuk mendoj se ka ndikim.”