Numri i padive të dorëzuara në SPAK kundër Ilir Metës ka arritur në katër, ku tre janë dorëzuar në muajt e fundit dhe njëra është e mbartur që nga ish-Prokuroria e Krimeve të Rënda.
E përbashkëta e të gjitha padive është korrupsioni. Çështja e parë është afera CEZ-DIA, ku Meta është paditur bashkë me Sali Berishën. Kjo është e vetmja dosje që i bën bashkë dhe që konsiderohet si dosja më e nxehtë e Prokurorisë së Posaçme.
Padia u bë në 2017-n nga juristi Romeo Kara. Që ka pasur skandale me aferën CEZ-DIA kjo është konfirmuar dhe nga Gjykata e Tiranës, sepse kreu i DIA u dënua me burg, por asnjë politikan nuk përfundoi para drejtësisë.
Në atë kohë u ngritën dy padi, një për privatizimin e OSSH nga CEZ dhe një për paktin CEZ-DIA për borxhet e prapambetura. Dosja e privatizimit u pushua nga prokurori, ndërsa e mira e dosjes CEZ-DIA është se ndodhet në arkivën e SPAK dhe nuk i dihet se çfarë do të ndodhë.
Në atë kohë ERE uli çmimin e energjisë për kompaninë çeke, CEZ. Kjo fundit ja u shiste qytetarëve më shtrenjtë dhe fitonte miliona. Sipas Karajt, nga ky favor u kërkuan 10 milionë euro. Ai ka përmendur dhe një valixhe me para.
“Elvis Mataj më ka pohuar në mënyrë të përsëritur, mua personalisht se: Kastriot Ismailaj i ka çuar në shtëpi Ilir Metës, në një çantë ngjyrë kafe, që i përkiste Elvis Matës, rreth 200 milionë lek të vjetra. Kjo gjë ka ndodhur, sipas Elvisit në fund të vitit 2010, ose në fillim të vitit 2011. Më shumë ka mundësi ne fillim te vitit 2011”, thuhet në dosje.
Në qershor të këtij viti, ish-deputeti Halit Valteri depozitoi në SPAK një kallëzim penal për Ilir Metën, kryetaren e LSI-së, Monika Kryemadhi dhe ish-deputetin Vangjel Tavon. Ai i akuzon ata për korrupsion aktiv dhe pasiv në sektorin privat, për fshehje të pasurisë, mospagim të taksave dhe tatimeve dhe shpërdorim detyre.
Valteri thekson se disponon të dhëna që ngrenë dyshime për konsumimin e këtyre veprave penale. Duke cituar artikuj të publikuar në median austriake, Kronen Zeitung, duke iu referuar kontratave të lobimit në SHBA që i paraprinë fushatës zgjedhore të vitit 2017, për të cilat thotë se nuk janë deklaruar nga LSI dhe që janë financuar përmes kompanive offshore. SPAK ka nisur hetimet në lidhje me këtë kallëzim.
Në një kallëzim të dytë, Valteri rendit të gjithë bashkëpunëtorët e ngushtë të familjes së Ilir Metës, përmes të cilëve dyshohet se ish-Presidenti ka pastruar miliona lek para korrupsioni.
“Petrit Vasili dhe Edmond Panariti, dhe çifti Meta Kryemadhi, për skemën e lobimit, është Elona Guri, Muharrem Berisha biznesmen, kanë kryer veprën penale të shpërdorimit të detyrën dhe fshehje të të ardhurave”, thuhet në kallëzim.
Kallëzimi penal nga Valteri ishte pas investigimit të gazetës austriake, “Kronen Zeitung”, e cila akuzoi se Ilir Meta pagoi 700,000 mijë dollarë për lobim përmes një kompanie , që të siguronte një foto në ceremoninë e inaugurimit të Presidentit Amerikan Donald Trump.
Padia e fundit është dorëzuar nga Avokati Idajet Beqiri. Ky i fundit ka depozituar këtë të enjte në SPAK dosjen me pretendimin e korrupsionit, pastrimit të parave dhe fshehjes së pasurisë.
Sipas avokatit, anëtarët e familjes Meta kanë marrë një sërë trajtimesh estetike në një klinikë në San Marino, shumë të kushtueshme. Po sipas tij, vetëm një nga ndërhyrjet estetike të Monika Kryemadhit ka kushtuar mbi 280 000 euro dhe është paguar nga një llogari bankare “offshore” në Qipro.
Të gjithë këto kallëzimi kanë të përbashkët akuzën e korrupsionit, që i ushtruar nga zyrtarët e lartë ligji parashikon ndëshkimin me disa vite burg. A do të përfundojë Meta pas hekurave? Me katër dosje në Prokurori, vështirë të thuhet jo./ Vox News