“Provokacija” është fjala më e përdorur në raportet e serbëve me shqiptarët. Cdo gjë shqiptare e quajnë “provokacije”, madje dhe kur shqiptarët shfaqen në një formë apo tjetër dhe kur nxjerrin në pah simbolet e tyre kombëtare në vende të ndryshme europiane.
E kanë të vështirë serbët të pranojnë tjetrin dhe në këtë aspekt kanë mbetur prapa si në kohën e Milloshevicit. Ndërkohë, mediat serbe vazhdojnë traditën e tyre dhe kur ka ngelur edhe pak kohë nga nisja e Botërorit, fjala provokim ka nisur të shfaqet shpesh së fundmi tek to, duke e lidhur me futbollistët me origjinë shqiptare.
Serbia ndodhet në të njëjtin grup me Zvicrën në Botërorin e Rusisë dhe kjo do të jetë ndeshja e dytë që do të zhvillohet në grupin E. “Kurir” i ka kushtuar një vëmendje të veçantë këpucëve që do të luajë Shaqiri në takimet e Botërorit, teksa në njërën prej tyre do të gjendet flamuri i Zvicrës dhe te tjera ai i Kosovës. Sigurisht, e gjitha kjo nga serbët mund të komentohet vetëm me një fjalë: “Provokacija”. Gjithsesi, shqiptarët e Zvicrës janë gati për Botërorin dhe duan të lënë gjurmë jo vetëm për futbollin e kombëtares helvetike, por edhe për shqiptarët kudo që ndodhen.