Kosova ka nevojë për potencialin e saj intelektual nga diaspora. Institucionet e Kosovës iu bëjnë thirrje qytetarëve të saj, të cilët jetojnë në vende të ndryshme të botës, që potencialin e tyre intelektual ta sjellin në Kosovë, pasi që siç thonë ata, vendi ka më shumë se kurrë ka nevojë për dijen e tyre.
Bazuar në shënimet zyrtare, janë rreth 400 mijë qytetarë të regjistruar të Kosovës që jetojnë në vende të ndryshme të Evropës dhe botës, porse ky numër konsiderohet të jetë edhe më i lartë.
Zëvendësministri i Diasporës dhe Investimeve Strategjike, Arian Daci, në një prononcim për radion “Evropa e Lirë”, të publikuar nga “Rel”, thotë se është duke u punuar që potenciali intelektual i Kosovës të kthehet në vend.
Në Strategjinë për Diasporën, Daci thotë se është duke u punuar në atë drejtim që të krijohen kushte të favorshme për investime, dhe që diaspora të ketë ulëse në Kuvendin e Kosovës.
Ditë më parë, vijon të raportojë “Rel”, gjatë një takimi me bashkatdhetarët, edhe kryeparlamentari Kadri Veseli ka theksuar se diaspora nuk duhet të shihet vetëm si remitenca, por si dije e potencial për zhvillim.
Ndërkohë, edhe përfaqësues të Rrjetit të Bizneseve Shqiptare në Diasporë thonë se diaspora e Kosovës duhet të shihet si potencial intelektual që do të mund të shërbenin në zhvillimin e proceseve në fusha të ndryshme të zhvillimit të vendit.